Telegrafi

Limaj: Befasia do të fillojë me Skenderajn

Ditën e dytë të fushatës zgjedhore, Nisma Socialdemokrate e ka nisur në qytetin e Skenderajt. Nga këtu kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj theksoi se koalicioni i tyre do të jetë befasia spektakolare e zgjedhjeve të 6 tetorit dhe kjo sipas tij do të nis me Skenderajn.

“Vendi ynë ka nevojë për njerëz me frymë pozitive, me njerëz që nuk humbin kohë duke i sharë të tjerët. Me njerëz që nuk humbin kohë duke bërë me gisht tek të tjerët. Me njerëz që këtë kohë të shtrenjtë e shfrytëzojnë duke dhënë ide, e duke punuar fortë për një punë të mirë për vendin e tyre. Kjo frymë do të fitojë në Kosovë. Kjo është fryma që e konsolidon këtë shtet”, tha ai.

Kandidati për kryeministër u kërkoi qytetarëve në Skenderaj që mos ua japin votën atyre që i kanë zhgënjyer tash e shumë vite. Për këtë arsye ai tha se duhet t’i jepet mundësia njerëzve të rinj.

Limaj gjatë tubimit elektoral në Skenderaj tha se askush nuk mund të ndal konceptin e Nismës dhe u kërkoi qytetarëve të angazhohen për të shtrirë këtë frymë në qytetin e lirisë.

“Më të drejt ne, ju struktura dhe kandidatë, presim që befasia spektakolare të fillojë me Skenderajn. Asnjë njeri këtu hiç nuk e ndal Nismën. Ne jemi këtu se jemi në vendin tonë, kështu që dilni në qytet dhe fshatra që të fuqizojmë këtë frymë politike”, tha ai.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi u shpreh se në zgjedhjet e 6 tetorit qytetarët duhet të votojnë për ndryshimin, e ndryshimi sipas tij është Nisma Socialdemokrate.

“Ne Nisma Socialdemokrate jemi të bindur se në politikën e Kosovës kemi sjell një frymë të re, një edukim të ri. Kemi sjell një dashuri të re për kombin dhe vendin dhe shtetin. Dhe duhet të jemi në shërbim të saj”, tha ai.

Ndërkohë, nënkryetari i degës së Nismës në Skenderaj, Xhevdet Smakiqi duke përmendur kontributin e kryetarit Limaj në Skenderaj tha se Nisma është zgjidhja e problemeve të Kosovës.

“Ne jemi bashkë për shtetin, ata bashkë për dreqin. Ne bashkë për punëtorin, ata bashkë për veten. Ne bashkë për pagën minimale, ata për shkeljen e të varfërve. Ne bashkë për pensionistin, ata bashkë për veten e tyre”, tha ai.

Kandidatët për deputetë të Nismës në Skenderaj, janë Sanije Rexha, Xhevdet Smakiqi, Merita Dervishi, Astrit Gjinovci dhe Egzona Muharremi, për të cilët u kërkua që të votohen masivisht, raporton KP.