Zërave të një pjese të spektrit politik shqiptarë për ndryshime zgjedhore në Maqedoni, ku nga 6 njësi zgjedhore të ketë vetëm 1, si edhe të ketë lista të hapura, u janë shtuar edhe ato të një pjese të spektrit politik maqedonas, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Gjatë takimeve me anëtarët dhe përkrahësit e tyre në Manastir, Ripërtëritja Demokratike e Maqedonisë (RDM) dhe Partia Liberal Demokrate (PLD) bëjnë të ditur qëndrimin e tyre se duhet të ketë ndryshime në modelin e zgjedhjeve, me qëllim demokratizimin e vendit.
Kryetarja e RDM-së, Liljana Popovska, ka deklaruar se ndryshimi i modelit zgjedhor duhet të bëhet me ndryshimin e njësive zgjedhore nga 6 në 1, si edhe të ketë listë të hapur.
Të dy partitë politike thonë se pa listë zgjedhore të pastruar dhe pa reforma në mediume, nuk sigurohen kushtet elementare për mbajtjen e zgjedhjeve të drejta dhe demokratike në qershor të këtij viti./Telegrafi/