Site icon Telegrafi

Liliana Hoxha: Mehmet Shehun e vranë

Në rrëfimin  e saj për gazetën “Panorama”, nusja e djalit të Enver Hoxhës, Liliana Hoxha, tregon prapaskenat që bëheshin në majën e kupolës së shtetit komunist pa dijeninë e Enver Hoxhës, por nën regjinë e Nexhmije Hoxhës dhe Ramiz Alisë.

Tashmë, publiciste e njohur, zonja Hoxha ka botuar dhe dy libra, “Tanët” dhe “Pushtimi i brendshëm”, ku ajo tregon marrëdhëniet e komplikuara në familjen Hoxha dhe në Bllokun e drejtuesve të PPSH-së dhe aktivitetin agjenturor në Shqipëri. Duke insistuar se Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha punon për interes të UDB-së jugosllave, zonja Hoxha tregon se si u sabotua nga Ramiz Alia hapja e Shqipërisë me Landin e Bavarisë, kur Kryeministër ishte Shtraussi, kur Enver Hoxha ishte ende gjallë.

Në lidhje me vdekjen e Kryeministrit Mehmet Shehu, zonja Hoxha shprehet se atë e vranë interesat e UDB-së, pasi ishte planifikuar ndërhyrje ushtarake e Shqipërisë në mbrojtje të Kosovës. Për Enver Hoxhën, vdekja e Mehmet Shehut, e treguar nga goja e nuses së djalit të tij, ishte një gjëmë e madhe, ndërsa për pjesëtarët e tjerë të familjes, Nexhmijen, por dhe djalin tjetër, Ilirin, ajo ishte një ditë gëzimi dhe çlirimi. Liliana Hoxha flet dhe për disa dosje tepër sekrete që Nexhmije Hoxha mbante të fshehura për Ismail Kadarenë, por dhe për Fiqirete dhe Mehmet Shehun, familjen e të cilit partia e internoi dhe e dënoi si armiq të popullit.

Në atë kohë është folur se kanë qenë reforma të ndërmarra nga qeveria dhe kryeministri i asaj kohe, Mehmet Shehu?!

Liliana Hoxha: Nuk e di cilën reformë ka ndërmarrë Mehmeti, por asnjëherë pa aprovimin drejtpërsëdrejti të Enverit, që në planifikimin e reformës. Më duken më shumë thashetheme abuzive ndaj kryeministrit, kur vullneti, gjoja i Enverit, shprehej nëpërmjet Nexhmije Hoxhës e Ramiz Alisë, ndërsa pushtetin nuk mund ta arrinin kurrë pa vrasjen e Mehmet Shehut edhe për interes të UDB-së. E vranë në momentin kritik, kur me urdhër të Enver Hoxhës ishte përgatitur mësymja ushtarake në mbrojtje të Kosovës me strateg Mehmet Shehun. Kështu i hapën rrugën drejt pushtetit Ramizit e Nexhmijes, me pengesë vetëm Enver Hoxhën, edhe ky në trajtim mjekësor vdekjeprurës. Me siguri them që, tufëzimi është ideuar nga Instituti Marksist-Leninist i Nexhmije Hoxhës, nga studiuesi Harrilla Papajorgji sipas modelit sovjetik, ndërkaq punonjës i Institutit dhe anëtar i Komitetit Qendror. Kush mund ta ketë bindur Enverin për këtë reformë, kjo është pyetja e duhur, kur ai, i shqetë- suar, më ka thënë: “Si moj Lilianë, a mund të jetojë fshatari pa një pulë?!” Di shumë shembuj që ajo e mashtronte hapur Enverin edhe në sy tonë, e sigurt prej presionit që na bënte, që nuk mund t’i tregonim Enverit. Por rasti më i rëndësishëm i sabotimit dhe ndrydhjes së Shqipërisë përfundimisht në izolim, ishte çështja Shtraus.

I ndodhur krejtësisht i vetëm në ’82, Enver Hoxha vendos të mbështetet te Perëndimi, konkretisht me Landin e Bavarisë me kryeministër Shtrausin. Pala gjermane ishte e gatshme dhe përshëndeti iniciativën e Enverit për hapjen e Shqipërisë me çdo kusht, pra me lëshime edhe politike. Ramiz Alia ndiqte negociatat. Personalisht, unë nxisja bisedën me Enverin duke u mbështetur në lajmet që vinin për këtë temë të bujshme në Agjencinë Telegrafike ku unë punoja. Enveri, në prani të Nexhmijes, që nuk i ndahej kurrë, fliste me entuziazëm, por shprehte çudinë që, megjithatë, çështja po vonohej, dhe pse vonohej?! Kur Shtrausi ishte krejtësisht i gatshëm. Kjo çështje u sabotua nga Ramizi e Nexhmija, teksa Enveri iku nga jeta me këtë plagë në zemër. Qëndrimi zyrtar shqiptar, shumë i vonuar pas vdekjes së E.Hoxhës, ishte: Gjermania jep çikërrima dhe na kërkon të lejojmë fenë. Shtrausi dhe djemtë e tij reaguan duke akuzuar palën shqiptare, drejtuar nga Alia, që ishin bërë pengesë me lloj-lloj sanksionesh ndaj Gjermanisë deri edhe për reparacionet e luftës kur sa ishte E.Hoxha gjallë, qëndrimi zyrtar ishte hapje me çdo kusht.

Është shprehur me ju apo me familjarët për rastin e Mehmet Shehut? Çfarë mendonte Enver Hoxha për vrasjen apo vetëvrasjen e Mehmet Shehut?

Liliana Hoxha: Ai na tha mua dhe Sokolit se kjo ishte një gjëmë për Shqipërinë. Unë dhe Sokoli e kemi përjetuar si gjëmë edhe për Enverin. Familjarët e tjerë të Enverit qeshnin, gëzonin. Nexhmija, atë ditë, shkoi në zyrë si pa gjë të keq, ndonëse duhet t’i rinte Enverit afër se ishte shumë i mërzitur nga akti i Mehmetit.

Po raporti sinoptik për Mehmet Shehun, që iu lexua popullit dhe lidhjet e tij me agjenturat e huaja?

Liliana Hoxha: Mendoj se Enverit i ofruan shumë argumente, si për të gjitha grupet armiqësore antiparti, të cilat s’mund t’i ndiqte personalisht dhe i besonte “partisë”. Siç ndodhi që M.Shehu dogji Beqir Ballukun apo Ramiz Alia e Nexhmije Hoxha dogjën Kadri Hazbiun. “Partia” i dha informacionin Enverit që CIA donte ta helmonte nëpërmjet M.Shehut. Personalisht mendoj që Mehmeti këtë gjë nuk do ta bënte kurrë. Me dashje apo pa dashje, Mehmeti e respektonte Enverin dhe pushtetin pas tij e kishte të sigurt, për më tepër edhe legjitim. Më thellë nuk mund të bëj hipoteza. Gjithsesi, Enveri duhet të thoshte diçka para popullit.

Nuk mendoni se mund të ketë qenë vetëvrasje, siç e kanë argumentuar disa bashkëpunëtorë të tij, për shkak të karakterit të fortë, nga sedra apo dinjiteti i lënduar?

Liliana Hoxha: Edhe kjo ka të bëjë me detyrimin që ta çonin deri aty. Por fakti që Enveri i tha Ramizit natën e mbledhjes së Byrosë: “Mehmeti e mori kritikën dhe duhet ta falim”, ndërkaq që u “vetëvra” me ngut pa ardhur e nesërmja. Gjithashtu, ende pa u gdhirë, agjencia jugosllave e lajmeve, “Tanjug” dërgon lajmin pararendës në favor të autorëve të krimit: “Mehmet Shehu vritet në mbledhjen e Byrosë me armë, në dyluftim me Enver Hoxhën. Syzet e këtij të fundit u mbuluan me gjak”!! Pra, del qartë se Mehmet Shehut e keqja i ka ardhur, pikërisht nga Ramizi dhe të interesuarit e tjerë.

Retrospektivisht del: Nexhmija paska pasur zakon të ruajë nga koha e komunizmit dokumente nga personalitetet më të spikatura, që ajo i shihte si rrezik permanent kundërshtues të saj. Kaq i fortë ka qenë pushteti i saj nëpërmjet fuqisë kulte (agjenturat), sa shpjegon heshtjen absolute të gjithkujt për t’u bërë jo vetëm pjesë e kësaj çështjeje, por që Nexhmije Hoxha të mos përmendet kurrë. Kemi vetëm librin “Zonja e zezë” të Fahri Balliut dhe Kadarenë, që e quan Lady Makbeth. Po të vini re, ajo manipulon gjithfarësh për ruajtje e emrit të saj, që, tek e fundit, në histori të jetojë çka i mbetet si gruaja e Enver Hoxhës. Siç i kam vënë në dukje te libri “Tanët”, kam pasur në dorë dosjen e Kadaresë, më vonë dosjen e Mehmet Shehut, që çuditërisht na përfshinte dhe mua, Sokolin e fëmijët tanë. Dosje krejtësisht sekrete të saj, që shprehin profilet e fshehta psikike, por sidomos frikën për t’u mbrojtur nga akuzat që e kriminalizojnë posaçërisht. Dosja e Kadaresë përmbante letra apo shkrime të tij, me të cilat mund ta luftonte, po qe se ai ngrihej kundër, siç edhe ka ndodhur.

Dosja e Mehmetit, në të kundërt, përmbante letërkëmbime shumë miqësore e intime midis Enverit e Mehmetit, Nexhmijes e Fiqiretit e të djemve të tij drejtuar Enverit e familjes së tij. T’i ruash këto letërkëmbime dashurie kur i ke syrgjynosur familjarisht, është perversiteti më i madh që na jep historia e letërsia botërore. Pse?! Në rast se dyshohet personalisht për të, siç edhe ka ardhur puna, ajo t’i përdorte, sipas saj, me alibinë qesharake që unë i kam dashur ata. Një fakt ky kaq ogurzi, sa zbeh edhe praninë e letërkëmbimit tonë në dosjen e krimit Mehmet Shehu. Aty gjenden letërkëmbimi i fëmijëve me ne dhe me Enverin, vlerësime të Enverit për fëmijët dhe mua, foto të mrekullueshme me Enverin që nuk i kisha parë, shkurtimisht gjithç- ka që tregonte lidhjen tonë të fortë me Enverin. Kjo na bindi më shumë që pse mua dhe Sokolin na larguan jashtë Tirane në vigjilje të vdekjes së tij të papritur.

Ju flisni dhe për një kardiolog që është zhdukur, si është e vërteta?

Liliana Hoxha: Nikolla Shurbani, kardiologu që vizitonte Enver Hoxhën, ishte njeriu më kompetent dhe i pastër pranë shërbimit të tij. Ai ka thënë në ’76, se Enveri vuan pak nga miokardia apo qarkullimi i gjakut, ndërkohë që Enverin e kishin izoluar që në 1974. Por kujtohem që me të ardhur Isuf Kalo, janë kufizuar të gjitha vizitat nga mjekët e ekipit, përveç Fejzi Hoxhës dhe Ylli Popës. Nikolla Shurbani nuk u duk më.

Nuk kishte fuqi Enver Hoxha që t’i ndërronte mjekët e tij?

Liliana Hoxha: Isuf Kalo u dëbua nga Enver Hoxha kur rrezikoi jetën e Sokolit në ‘76 për arsye krejt banale, siç është apandesiti. Rreth vitit ‘77 risillet me skemë shumë të çuditshme nga vetë Nexhmije Hoxha për të më ndjekur mua për një lodhje të vazhdueshme, pasojë e një sëmundjeje endokrine, që ata e dinin mirë, pa qenë në dijeni unë, Sokoli e Enveri. Çka u fsheh në depresion kronik për të vajtur vazhdimisht në Paris për kurim të posaçëm. Kështu më nxirrnin jashtë loje praktikisht nëse qe e mundur, por sidomos ishte pistë për të injoruar zërin tim. Gradualisht, Kalo rikthehet tek Enver Hoxha si diabetologu më i specializuar në Paris. Për preferencë të Nexhmijes dhe vullnet të tij, vetëquhet mjeku personal, pa dijeni të Enverit, i cili shprehej se nuk donte një të tillë dhe me vetë Kalon tallej për vanitet intelektualizmi. Enver Hoxha nuk e ka ditur skemën e mjekimit të tij të organizuar në sekret nga Ramiz Alia, Nexhmije Hoxha, Isuf Kalo, e Sulo Gradeci, gjoja në mbrojtje nga rreziku i Perëndimit, e jo t’i besonte shëndetin e tij Kalos.

Dëgjohen shumë shekspiriane këto që thoni…

Liliana Hoxha: Më keq se një Lady Makbeth në krye të Shqipërisë. Vetëm për vdekjen e Enver Hoxhës mjafton të shtrosh disa pyetje thelbësore, të cilat mbeten pa përgjigje: -Pse mbulohet sot skema e marrjes së ilaçeve jashtë shtetit vetëm nga Isuf Kalo? Pas akuzave tona, Sulo Gradeci kundërshton marrjen e ilaçeve vetëm nga Isuf Kalo! -Pse gënjen Nexhmije Hoxha, kur i kujtojmë që Kalo është zgjedhur prej saj të shkojë i vetëm të blejë medikamentet e Enver Hoxhës?! -Pse u betonua varri i Enver Hoxhës me urdhër të Nexhmijes, Sulo Gradecit e Ramiz Alisë?! Nexhmije Hoxha nuk përfaqëson vetëm veten, por fuqinë më të errët çubriloviçiane, përmbi 70 vjet, nga ‘41 deri sot. Sa të jetë gjallë, mbetet kryeeksponenti, së paku nyjë, në mos fuqi ekzekutive e agjenturës. Mbetet prova e gjallë e aktivitetit agjenturor që ka uzurpuar Shqipërinë, qoftë e fundit për nga politikat europiane, që automatikisht minimalizojnë rolin e tyre. Ndaj, e kam projektuar në art jo si person, por si fenomenin më të rrezikshëm që ka punuar nëndheshëm për vetasimilimin e shqiptarizmit. Por, në fund, Enveri e ka kuptuar për mënyrën si e ka trajtuar kur ishte i paralizuar.

Ju është shprehur Enver Hoxha për këto dyshime?

Liliana Hoxha: Po, në mënyrën e tij. Hollësirat i kam shprehur në libër. E kam peng që nuk iu hapa Enverit për çka dinim dhe ndienim unë e Sokoli. Ne, që ishim të interesuar për të vetëm prej dashurisë. Iliri ka qenë i përgatitur për të trashëguar pushtetin bashkë më të ëmën, Ramizin dhe djalin e tij, Arben Alia. Mua kjo tendencë më dukej qesharake, se nuk ishim dinasti. Por nuk ishte qesharake. Ishte një plan shumë më i hershëm se Katovica. Kjo e fundit vetëm sa iu shpërndau pushtetin në disa duar, që do përfaqësonin pozitë-opozitë krejtësisht të kapura prej tyre. Pasi likuiduan të gjitha pengesat, iludoheshin që u erdhi radha atyre. Kush tradhtoi njeri-tjetrin, Ramizi Nexhmijen apo e kundërta, le ta zbulojë kush të dojë. E sigurt është që likuiditetin ekonomik të Shqipërisë e përvetësoi Arben Alia, që punon bankier në Paris.

Ju keni vite që i jeni përkushtuar kësaj çështjeje, madje keni shkruar dhe dy libra. A ia vlejti për jetën tuaj përkushtimi ndaj saj?

Liliana Hoxha: Lufta për të vërtetën të martirizon. Siç kam theksuar shumë herë, vrasjen e Enver Hoxhës e shoh vetëm si çështje kombëtare. Nuk do ta bëja dot vetëm për një person. Për këtë nuk ndiej as mburrje, as vanitet, as protagonizëm. Qëllova thjesht një shqiptare e ndërgjegjshme pranë kupolës qendrore të krimit, që duhej zbardhur për interesin e përgjithshëm. Pas librit “Tanët”, ndodhi një tentativë tjetër vrasjeje ndaj meje, por për çudi divine, pa rezultat.

Siç thashë, në dosjen e krimit Mehmet Shehu, qëndrojnë bashkë kryeministri me gruan e tij të vdekur e familjen të persekutuar, si dhe Sokoli bashkë me familjen e tij, djali i dytë i Nexhmijes, vetëm për dashurinë që kanë ndaj të atit. Rezulton që ajo, edhe pse me fuqi okulte, është ndierë potencialisht e cenuar vetëm nga Ismail Kadare, Mehmet Shehu e Sokoli me familje. Ndaj, si të mos ia ketë vlejtur lufta ime për të vërtetën kombëtare?! Unë as trembem e as bëhem më e guximshme, se çështja është tashmë më e madhe se unë. Ajo më dikton mua aq shumë sa në mungesën time, (përjashto familjen dhe miqtë e afërt) do ta vazhdojnë shqiptarë si unë, me informacione të mëtejshme përtej domosdoshmërisë për etikë, që deri diku më ka bërë të rezervuar. /Telegrafi/

Exit mobile version