Site icon Telegrafi

Lile Stefanova: Kam treguar gjithçka që di për rastin “Haraçi”

Prokurorja speciale Lile Stefanova, sot në Prokurorinë Themelore Publike ka dëshmuar në lidhje me rastin “Haraçi”.

Pas përfundimit të marrjes në pyetje që zgjati rreth pesë orë, ajo nuk sqaroi shumë para gazetarëve. Stefanova tha se para prokurorit publik ka thënë gjithçka që di në lidhje me rastin e fundit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Jam e vetëdijshme për interesin e madh të opinonit dhe pikat e ndijshme të rasteve ‘Haraçi’ dhe ‘Perandoria’. Gjithçka që mund të them, e ndava me ju të premten në komunikatë. Kam ardhur këtu në ora 09:00, deri tani si dëshmitare. Gjithçka që di për këtë rast e kam treguar. Duke pasur parasysh se jam dëshmitare, nuk mund të jap deklaratë tjetër”, tha Stefanova.

Ajo nuk u përgjigj në pyetjet e gazetarëve dhe pas përfundimit të deklaratës së shkurt të saj, u largua.

Ndryshe, Stefanova dhe Katica Janeva janë përmendur në incizimet e publikuara nga gazeta italiane “La Verita”, në lidhje me rastin “Haraçi”./Telegrafi/

Exit mobile version