Dwayne Michael Carter Jr., i njohur me emrin artistik Lil Wayne, është reper i njohur amerikan, i cili numëron mbi 7.6 milionë ndjekës në profilin e tij në Instagram.
Mirëpo, ka tërhequr vëmendje fakti se ai ndjek vetëm një dhe emri i saj është Molly Qerim.
Molly Qerim është një spikere sportive dhe moderatore në emisionin First Take të ESPN. Ajo ka qenë nikoqire e emisioneve të mëngjesit NFL AM dhe NFL Fantasy Live. Po ashtu në të kaluarën ka punuar si reportere për NFL Network.
Molly, e cila këtë vit mbush 34 vjet, ka origjinë shqiptare dhe italiane. Ajo ka lindur në New Haven të Connecticut dhe ka diplomuar në Universitetin e Connecticut në Komunikim dhe Administrim Biznesi.
Më vonë ka marrë diplomën master në Universitetin Quinnipiac në Gazetarinë Transmetive. Ajo e ka fituar çmimin Emmy për punën e saj në Fantasy Football Now.
Në vitin 2011, therichest.com e kishte renditur në vend të shtatë në listën e “10 gazetareve më të bukura sportive”.
Po ashtu, një vit më pas, Bleacher Report e kishte përfshirë në listën e “20 gazetareve më të bukura sportive të vitit”. Molly ishte renditur e 14-ta në listë. /Telegrafi/