Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, ka zhvilluar një takim virtual me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuese e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova.
Në njoftimin e bërë nga MASHTI thuhet se “duke pasur parasysh situatën me pandeminë COVID-19, me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik, takimi i parë mes tyre u zhvillua në distancë’.
Ambasadorja Apostolova e uroi ministrin Likaj për detyrën e re dhe tha se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar që të mbështesë Kosovën në përmirësimin e mëtejmë në fushën e arsimit, transmeton Telegrafi.
Ministri Likaj e falënderoi ambasadoren Apostolova për ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme që ka dhënë Bashkimi Evropian për Kosovën dhe për arsimin në veçanti, ndërsa theksoi nevojën e mbështetjes së mëtutjeshme në realizimin e programit qeveritar për arsim. /Telegrafi/