Site icon Telegrafi

Likaj takon përfaqësuesit e kolegjiumeve private në Kosovë, flasin për organizimin e vitit të ri shkollor

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj është takuar me përfaqësuesit e kolegjiumeve private në Kosovë me të cilët ka biseduar për organizimin e vitit të ri shkollor.

Në këtë takim kanë marrë pjesë Ardian Hoxha nga American School of Kosova, Lulzim Tytynxhiu nga Loyola Gymnasium, Donald Hale nga shkollat KIS dhe QSI, Florian Kurteshi nga Hello Academy of Education, Rachel MacKinnon nga ILG School, Selim Kolgeci nga Prishtina High School, Nadine Hennesy nga Kosovo Leaders Academy dhe Ardit Berisha nga Universum/ Finnish School.

Sipas komunikatës për medie, pjesëmarrësit në takim theksuan se, shkollat që përfaqësojnë kanë bërë të gjitha përgatitjet dhe kanë kushtet e nevojshme për të organizuar vitin shkollor 2020/2021, në rrethanat në të cilat ndodhet vendi si pasojë e pandemisë COVID-19.

Ndër të tjera, ata kërkuan që t’u jepet mundësia që në mënyrë individuale të vendosin nëse do të organizojnë mësimin në ambientet shkollore apo mësim të kombinuar në shkollë dhe online, meqë posedojnë hapësirë të mjaftueshme, resurse njerëzore dhe mund të përmbushin kushtet për masat parandaluese nga COVID-19.

Likaj, u tha se organizimi i vitit të ri shkollor në kushte pandemie është brengë e përbashkët e të gjithëve dhe duhet të përgatitemi për skenarë të ndryshëm të organizimit të mësimit sipas nivelit të rrezikut.

Ministri dhe përfaqësuesit e Kolegjiumeve u dakorduan për koordinim të mëtejmë dhe kontakte të rregullta për shkëmbimin e përvojave që çojnë në arritjen e objektivave për arsim sa më cilësor dhe gjithëpërfshirës. /Telegrafi/

Exit mobile version