Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, ka pritur sot në takim shefin e Zyrës së Këshillit të Evropës (KE) në Prishtinë, Frank Power dhe zyrtaren e lartë për projekte në KE, Vjosa Rogova- Damoni me të cilët ka biseduar rreth nevojës për mbështetje që ka Kosova nga Këshilli i Evropës dhe partnerët e saj.
Në këtë takim u diskutua edhe për prioritetet e MASHTI-t, me theks të veçantë edhe përfshirjen e fëmijëve të pakicave dhe atyre me nevoja të veçanta në arsim.
“Likaj, pasi që pranoi urimet për detyrën e re nga shefi i Zyrës së KE në Prishtinë, falënderoi Këshillin e Evropës për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës, veçanërisht në sektorin e arsimit përmes projekteve, të cilat kanë ndihmuar në përmirësimin e gjendjes në arsim. Ministri Likaj përmendi disa prioritete, në mesin e të cilave edhe rritjen e përfshirjes së fëmijëve në edukimin parashkollor, në atë parafillor, të fëmijëve me nevoja të veçanta, të fëmijëve të komunitetit rom, ashkali, egjiptian, parandalimin e braktisjes së shkollës dhe prioritete të tjera”, thuhet në komunikatë.
Likaj theksoi nevojën e mbështetjes edhe më të madhe nga Këshilli i Evropës dhe partnerët tjerë zhvillimor, në mënyrë që të arrihet synimi për ofrimin e një arsimi më cilësor në të gjitha nivelet, si dhe të sigurohet gjithë përfshirja në arsim.
Ministri theksoi gatishmërinë për të shtyrë përpara të gjitha përgjegjësitë e MAShTI-t në realizimin e projekteve me partnerët zhvillimor.
Gjatë këtij takimi, u diskutua në veçanti për projektin “Ndërtimi i Kapacitetit për Gjithë përfshirje në Arsim-INCLUDE”, që synon të përmirësojë pjesëmarrjen dhe qasjen në arsim gjithëpërfshirës për vajzat dhe djemtë nga komunitetet rom, ashkali, egjiptian dhe fëmijët me nevoja të veçanta. /Telegrafi/