Site icon Telegrafi

Likaj dhe Jashari diskutojnë për përgatitjet për vitin e ri shkollor dhe kërkesat konkrete të SBASHK-ut

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj bashkë me shefin e kabinetit të tij, Gëzim Berisha janë takuar me kryetarin e Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë e Kulturë, Rrahman Jasharaj me të cilin ka biseduar për fillimin e vitit të ri shkollor dhe për kërkesat e SBASHK-ut.

Përmes një komunikate për medie, SBASHK ka bërë të ditur se kanë kërkuar që të bëhet një debat në Parlamentin e Kosovës, në mënyrë që të nxirren ide dhe të përcaktohen detyrat konkrete për të gjithë.

“Jasharaj ka thënë se cili do vendim lidhur me fillimin e vitit të ri shkollor nuk është i lehtë dhe se kërkon angazhimin, jo vetëm të MASH-it, DKA-ve dhe SBASHK-ut , por edhe të gjithë institucioneve qendrore e lokale. Mendojmë se duhet zhvilluar një debat edhe në Parlamentin e Kosovës në mënyrë që të nxjerrën ide dhe të caktohen detyra konkrete për të gjithë . Ai ka shtuar se nuk ka qenë veprim i drejt shkurtimi i mjeteve buxhetore të MASH-it me rastin e rishikimit të buxhetit sepse në cilën do variant që nis viti shkollor konsiderojmë se MASH-i ka pasur nevojë për mbështetje shtesë buxhetore e jo të ndodhin shkurtime”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu është bërë e ditur që  është arritur marrëveshja që të formohen komisionet nga MASH-i dhe SBASHK-u për të negociuar lidhur me Kontratën e re Kolektive të Arsimit të Kosovës në mënyrë që pas arritjes së marrëveshjes për tekstin përfundimtar edhe të nënshkruhet kjo Kontratë nga MASH-i dhe SBASHK-u.

“Një çështje e rëndësishme që është debatuar në këtë takim është edhe ajo lidhur me mësimdhënësit e punësuar e që kanë 180 kredi. Të dy palët janë pajtuar që kjo çështje të analizohet dhe të merren hapat konkret për të zgjidhur ashtu si duhet duke ndryshuar Udhëzimin Administrativ 10/2018 dhe duke iniciuar mundësinë që të fillohet me programin për ngritjen e profesionale të tyre pa shkëputje nga puna. Të dy palët janë pajtuar që me angazhime të përbashkëta të vazhdojnë përpjekjet që të arrihet zgjidhje e drejt dhe ligjore për punëtorët e arsimit që janë me sëmundje të rënda”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/

Exit mobile version