Ish Komandant Çela, tani në krye të resorit për zbatim të Marrëveshjes së Ohrit, Hazbi Lika nuk ka plan konkret për zgjidhjen e statusit të ish-ushtarëve të UÇK-së dhe familjarëve të dëshmorëve. Lika nuk garanton se një ligj i ngjashëm si ai për “branitellat” do të miratohet për pjesëtarët e UÇK-së.
“Unë mendoj se duhet të ndërmerret diçka në këtë drejtim dhe se çfarë do të bëhet më tutje për momentin nuk jam në gjendje të them me përpikmëri, për shkak të mos-keqkuptimit nga ana e opinionit dhe sidomos nga ana e atyre që veçmë kanë qenë pjesëmarrës të drejtëpërdrejtë në këtë konflikt. Unë nuk mund ta them se a do të miratohet ligj. Sepse deri më tani marrëveshjet që janë bërë mes partive shqiptare po edhe koalicionit që përbën tani këtë qeveri, nuk kanë arritur të bëjnë diçka të tillë. Besoj se brenda kohës do të duhet të shihet kjo punë, nëse ka mundësi të paktën familjet e dëshmorëve dhe ato që u plagosën gjatë luftës të trajtohen nga shteti”, tha për Alsat-M, Hazbi Lika, zv.kryeministër për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.
I pyetur nëse do të inicojë ndryshim të Ligjit për përdorimin e flamujve të bashkësive që jetojnë në Maqedoni, sipas të cilit shqiptarët mund ta përdorin flamurin e tyre vetëm në komunat ku përbëjnë 50% të popullsisë, Lika përgjigjet:
“Unë nuk e di sa i ka dimensionet flamuri i shtetit. Mirëpo di që flamuri ynë kombëtar i ka dimensionet po aq sa i kanë edhe flamujt tjerë kombëtarë, siç e përdorin në Shqipëri dhe Kosovë. Tani ky flamur përdoret në ato vendbanime ku 50% e banorëve janë shqiptarë, por nuk do të thotë se kjo nuk mund të ndryshojë në të ardhmen”, theksoi ai.