Site icon Telegrafi

Lika: Shpërbërja e Sekretariatit për Marrëveshjen e Ohrit nuk është lojë, nuk kam njohuri për vendimin e BDI-së

Zv.kryeministri për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Hazbi Lika, në një intervistë për TV21 ka folur sërish rreth shpërbërjes së Sekretariatit për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në ministri dhe kundërthëniet me partinë e tij në lidhje me këtë çështje.

Lika thotë se kjo çështje nuk duhet të merret si lojë ose si diçka e lehtë e cila mund të tejkalohet përnjëherë. Ai thotë se nuk e di kur BDI e ka sjellë vendimin për shndërrimin e Sekretariatit për Marrëveshjen e Ohrit në Ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Midis Bashkësive, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Mendoj se nuk është koha për ta thënë një gjë të tillë por çështja është se duhet të njihen njerëzit dhe aktorët politik me realitete të caktuara. Unë dje bëra një reagim shumë objektiv sepse unë jam udhëheqës i një sektori që e bart këtë proces dhe të ngrihet iniciativë për ta ndryshuar këtë sektor, unë e quaj të nevojshme që të pyetet edhe ky sektor, të merret në konsideratë dhe të bashkëpunohet për të hartuar një ligj i cili më mirë do t’i mbrojë interesat sepse jemi të vetëdijshëm që marrëveshja e Ohrit është një dokument i cili ende nuk është zbatuar”.

Lexo po ashtu BDI: Ministria avancon Sekretariatin dhe rrjedh nga programi jonë zgjedhor

“Një shembull konkret është përfaqësimi i drejtë dhe unë mendoj që kjo nuk duhet të merret si një lojë ose si diçka e lehtë që mund të kapërcehet aty për aty. Nuk kam ndonjë mendim konkret në lidhje me ligjin, ligji ndoshta mund të jetë më i mirë por mbase mund të bëhet edhe më i mirë, sepse kaluan diku 17 vjet prej kur është arritur ajo marrëveshje. Ne e dimë se afatet i ka pasur për 4 vjet të zbatohet dhe nuk është implementuar deri më tani. Po flasim për implementim dhe po hyjmë në konflikte për një marrëveshje e cila është dashur të implementohet 4 vite pasi është arritur”, tha për TV21, Lika.

I pyetur për deklaratën e Bujar Osmanit, i cili tha se vendimin për transformimin e sekretariatit në ministri e ka sjellë BDI-ja, Lika tha se nuk ka njohuri për këtë vendim, duke shtuar se e di se është një nga pikat e Marrëveshjes së Tiranës.

Lika u pyet edhe për informacionet se ai nuk ka shkuar fare në punë, ndërsa tha se është koha në të cilën nuk mund të bisedohen çështje të tilla.

Ndryshe, sot deputetët e miratuan nevojën e sjelljes së ligjit për krijimin e Ministrisë për Sistem Politik dhe e përcollën në procedurë të mëtejshme parlamentare, për në lexim të dytë. Kjo ministri do të formohet me ndryshimin e dy ligjeve, Ligjit për Qeveri dhe Ligjit për organizimin dhe punën e organeve shtetërore, që janë pika e 15 dhe 14 e rendit të ditës. Ky propozim është parashtruar nga deputetët e shumicës parlamentare./TV21/

Exit mobile version