Zv.kryeministri i Maqedonisë, përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Sistemin Politik, Hazbi Lika, sot u takua me ambasadorin e Britanisë së Madhe në vendin tonë, Charles Gareth.
Në takim u bisedua për shumë çështje të rëndësishme, ndër to edhe për perspektivën e përgjithshme të Maqedonisë rreth integrimeve në NATO dhe BE, raportet ndërfqinjësore të Maqedonisë me shtetet e rajonit dhe për perspektivat e përbashkëta të tyre, njofton Telegrafi Maqedoni.
Bashkëbiseduesit e vlerësuan klimën pozitive të qeverisë në harmonizimin dhe hartimin e strategjive dhe platformave të përbashkëta, si dhe adaptimi i përvojave britanike në rrugëtimin e Maqedonisë drejt progresit. U vlerësua nevoja e krijimit të kushteve më të mira për jetë për qytetarët si dhe ndërmarrja e masave për rimëkëmbjen dhe përforcimin e sektorit privat.
Zv.kryeministri Lika dhe ambasadori Garet konstatuan se është interes publik sjellja sa më e shpejtë e ligjit për gjuhët, pasi që do të ndikojë pozitivisht në afrimin e qytetarëve me institucionet shtetërore. Ndërkohë bashkëbiseduesit biseduan edhe për çështje teknike rreth implementimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Së fundmi, Lika dhe ambasadori Gareth, konstatuan se avancimi i zbatimit të shtyllave për kohezionin social mes komuniteteve, do të jetë në favor të integrimit të shtetit në sferën ekonomike, me çka do arrihet një standard më i lartë i jetesës dhe do krijojë mundësi më të mëdha për anëtarësim në BE dhe NATO./Telegrafi/