Telegrafi

Lija e majmunit, numri i rasteve në SHBA arrin në mbi 18 mijë

Rreth 18,101 raste pozitive të personave të infektuar me linë e majmunit janë konfirmuar deri më tani në Shtetet e Bashkuara, tregojnë të dhënat më të fundit nga Qendrat e SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, gjithsej 2,916 raste të reja të konfirmuara janë raportuar në vend në shtatë ditët e fundit, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Megjithëse numrat janë ende në rritje në shkallë kombëtare, shpejtësia e shpërthimit me sa duket po ngadalësohet, tha CDC.

Me 3,291 raste, Kalifornia është shteti më i prekur. Pasohet nga Nju Jorku (3,197) dhe Florida (1,870).

Që kur rasti i parë i sëmundjes virale infektive u konfirmua në SHBA më 18 maj, rastet u përhapën në më shumë se 60 rajone në vend.

SHBA vlerësohet se ka numrin më të madh në botë të rasteve të lisë së majmunit.

Më 4 gusht, CDC e shpalli linë e majmunit një emergjencë të shëndetit publik.

Më vonë, Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA (FDA) njoftoi autorizimin e përdorimit urgjent të vaksinës JYNNEOS për t’u administruar në mënyrë intradermale tek individët 18 vjeç e lart.

Ekipi Kombëtar i përgjigjes ndaj lisë së majmunit i Shtëpisë së Bardhë njoftoi një sërë veprimesh për të përshpejtuar më tej përgjigjen e administratës së Joe Biden ndaj shpërthimit të lisë së majmunit dhe për të zbutur përhapjen e virusit. /Telegrafi/