Site icon Telegrafi

Lihet në burg Laert Haxhiu, mohon njohjen me Tafanin e akuzat për masakrën së Lushnjës

Gjykata e Posaçme ka vendosur vazhdimin e masave të sigurisë “Arrest me burg” për Laert Haxhiun, i dënuar me burg përjetë nga shkalla e parë për “Masakrën e Lushnjës”, ngjarje e shënuar në shtator të vitit 2017, por dhe për ngjarjet e tjera në të cilat është përfshirë 32-vjeçari, sipas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Artan Tafani.

Seancat në GJKKO u bënë të ndara, ndërkohë qe vetë Haxhiu dhe avokati i tij mbrojtës kanë mbajtur qëndrim mohues edhe për ngjarjen e Lushnjës dhe për dëshmitë e Tafanit, ku ata pretendojnë se nuk kanë njohje fare.

32-vjeçari, Laert Haxhiu rezulton i dënuar me burgim të përjetshëm për një sërë veprash penale si: “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Gjykata e Posaçme e dënoi me burg për jetë Laert Haxhiun në prill të vitit 2024. Ai u shpall fajtor për ngjarjen e ndodhur në Lushnjë në tetor të vitit 2017, ku mbetën të vrarë Jurgen Hoxha e Zamir Latifi dhe u plagosën dy të tjerë.

Po kështu, emri i Laert Haxhiut doli nga dëshmia e Artan Tafanit, që tregoi se grupi i Haxhiut ka organizuar disa vrasje dhe disa ngjarje të rënda kriminale që kanë ndodhur në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Korçë. /Telegrafi/

Exit mobile version