Ligji për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në Kosovë nga sot ka hyrë në fuqi.
Ligji ka 29 nene si dhe rregullon anën ligjore, parandalimin, masat për mbrojtje, testimet, trajtimin, kompensimet shtesë, por edhe gjobat për shkelësit e Ligjit e shumë elemente tjera që do ndihmojnë parandalimin dhe luftimin e pandemisë.
Neni 24 i këtij ligji rregullon çështjen e orareve të lëvizjes dhe gjobat në rast mosrespektimi.
Në ligj thuhet se personi juridik i cili nuk e respekton vendimin e Organit kompetent për kufizimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve në kohën e caktuar, dënohen me gjobë prej pesëqind (500) euro.
Ndërsa, drejtuesi i mjetit motorik dhe personi fizik i cili nuk e respekton vendimin e Organit Kompetent për kufizimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve sipas orarit të përcaktuar, dënohet me gjobë prej dyqind (200) euro.
Ndryshe, në muajin korrik janë miratuar disa masa parandaluese për përhapjen e COVID-19, nga Qeveria e Kosovës, ndër to dhe kufizimi i lëvizjes. “Duke filluar nga ora 22:30 deri në orën 05:00, ndalohet çfarëdo qarkullimi i personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre në komunat: Prishtinë, Prizren, Pejë, Podujevë, Gjakovë, Ferizaj, Lipjan, Drenas, Vushtrri, Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Fushë Kosovë dhe Shtërpcë”. /Telegrafi/