Florina Berisha nga Shoqata e Farmacistëve të Kosovës ka deklaruar se ligji për unifikimin e çmimit të barnave në Kosovës nga farmacistët është pritur për një kohë të gjatë.
Ajo në TV Dukagjini megjithatë ka deklaruar se mënyra se si po pritet të zbatohet ky ligj ka shqetësuar mjaft shumë farmacistët.
“Ministria ka kërkuar nga barnatoret që çmimi të vendoset ne banderolë nga muaji shkurt, por dihet se barnatorja nuk ka qasje në banderolë. Barnatoret janë të shqetësuara qysh kanë për ta zbatuar këtë detyrim”, deklaroi ajo.
Përfaqësuesja e farmacistëve deklaroi se lista e prezantuar nga Ministria e Shëndetësisë është problematike pasi sipas saj një ilaç si Travazolli, asnjëherë nuk e ka pasur çmimin 11.5 euro.
Berisha ka deklaruar se sot bota është duke u përballë me mungesë të barnave dhe sipas saj një gjë e tillë mund ti ndodh edhe Kosovës shumë shpejt.
“Me këtë ligj dhe këtë qasje duhet të pritet që edhe në Kosovë mund të ketë mungesë të barnave, për faktin se shteti po tregon jo seriozitet ndaj sektorit farmaceutik”, shtoi ajo.
Shoqata e Farmacistëve të Kosovës po ashtu ka shprehur shqetësimin se si barnatoret do t’i menaxhojnë stoqet që aktualisht kanë ato me ndryshimet e çmimeve./Telegrafi/