Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka reaguar lidhur me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, në rastet “nr. KO216/22 dhe KO220/22,” (në lidhje me Ligjin për Zyrtarët Publik) dhe siç thotë procesin përcjellës si pasojë e kësaj të fundit.
GLPS ngritë shqetësimin se vendimi i Gjykatës ka mos-përputhje në mes të pjesëve të dispozitivit të saj, ku ndonëse është përcaktuar kundër-kushtetutshmëria e “kriterit të përshtatshmërisë” të Ligjit për Zyrtarët Publik, në pjesën ku Gjykata saktëson se cilat pjesë/fjali duhet të largohen nga Ligji, ajo nuk ka përfshirë një pjesë që bazohet po tek ky kriter e që rrjedhimisht do të duhej të largohej.
“Së dyti, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka dështuar ta ngritë këtë shqetësim duke e proceduar ligjin, dhe të njëjtin gabim e ka bërë edhe Presidenca e Republikës së Kosovës duke e dekretuar atë.
Kështu, kemi një situatë ku ligji ka -materialisht- përmbajtje kundër-kushtetuese dhe në kundërshtim me pjesën substanciale të vendimit të Gjykatës dhe pikës III të dispozitivit të saj; por në të njëjtën kohë është në përputhje me pikën XI (a) të po këtij dispozitivi”, thuhet në reagim.
Sipas GLPS-së, së treti, ndonëse këto gabime nuk janë shkelje kushtetuese nga ana e Kuvendit dhe Presidencës, ato shpërfaqin mungesë të vëmendjes profesionale nga këto institucione, e që kjo e fundit natyrisht që vlen edhe për vetë Gjykatën Kushtetuese – nga edhe ku fillon kjo huti kushtetuese.
“Prandaj kemi tri institucione që kanë bërë tri gabime.
Andaj, GLPS tërheqë vëmendjen se hapi i parë dhe i radhës që duhet bërë në këtë aspekt është përmirësimi i vendimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese sipas detyrës zyrtare – bazuar në Rregulloren e saj të punës, ngase kemi të bëjmë me një anomali kushtetuese”, thuhet në reagim. /Telegrafi/