Ministri Ferid Agani, ka thënë se më 22 korrik në Kosovë vjen një delegacion i Bankës Botërore për të diskutuar lidhur me projektligjin për sigurime shëndetësore, duke shprehur bindjen se ky ligj do të miratohet pas pushimeve në Qeveri e parlament. “Më 22 korrik vjen një delegacion i Bankës Botërore që të diskutojmë për projektligjin për sigurime shëndetësore dhe jam shumë optimist që ne në shtator do të jemi të gatshëm që këtë projektligj ta procedojmë në qeveri e mandej edhe në Kuvendin e Kosovës.”, thekson ai.
Mungesa e Ligjit për sigurime shëndetësore po e vështirëson edhe më shumë gjendjen e pacientëve, punën e stafit mjekësor në QKUK, por edhe në spitalet rajonale.
Mjekët tregojnë se vetëm në Institutin e Onkologjisë, brenda një dite trajtohen mbi 130 pacientë, ndërsa shpjegojnë se trajtimi i sëmundjeve malinje në Kosovë, pacientit i kushton 300 euro vetëm për një muaj, e që duke ditur standardin në të cilin po jetojmë, vështirë që mund të përballohet një gjendje e tillë.
Ministri Agani, vazhdimisht është kritikuar nga partitë opozitare, si dhe nga sindikalistët e punëtorëve të QKUK-së, për zvarritjen e projektligjit për sigurime shëndetësore. Po ashtu, ministri është kritikuar edhe sa i përket miratimit të Ligjit për shëndetësi, pasi që opozita dhe sindikalist pretendojnë se ky ligj nuk do të gjen zbatim, pa krijimin e fondit për sigurime shëndetësore.
Ndryshe, edhe pse Ligji për sigurimet shëndetësore ishte miratuar në vitin 2007, ai asnjëherë nuk kishte hyrë në fuqi, pasi që nuk ishte nënshkruar nga shefi i atëhershëm i UNMIK-ut. Ky ligji ishte tërhequr për shkak të implikimeve buxhetore, me rekomandimet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Shkaqet pse nuk është miratuar deri tash kanë të bëjnë me shkallën e lartë të papunësisë dhe varfërisë, ndërkohë që edhe buxheti i ndarë për shëndetësi është shumë i vogël, krahasuar me vendet e rajonit. Opozita nga ana e saj kritikon Qeverinë, se përveç premtimeve, nuk ka bërë asgjë për përmirësimin e sistemit shëndetësor. /Telegrafi/