Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, ka mirëpritur miratimin e Ligjit për Prishtinën.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai është shprehur i bindur se ky ligj do ta sjellë fillimin e një etape të re zhvillimore për kryeqytetin.
Ai ka thënë se ligji barazon trajtimin e Prishtinës me secilën kryeqendër të shteteve të rajonit dhe më gjerë.
Krahas pozitës së veçantë që i garantohet kryeqytetit, sipas Pacollit, përfitim që sjell ligji është edhe rritja e buxhetit të komunës nga grantet e Qeverisë.
Ai ka treguar se kjo nënkupton rritje të mundësive për investime të reja në kryeqytet, duke shtyrë përpara një varg projektesh që, shkaku i implikimit buxhetor, janë shtyrë nga viti në vit.
Në këtë intervistë Selim Pacolli ka folur edhe për qeverisjen në komunë, duke thënë se puna e kësaj Qeverie do ta prekë secilin qytetar të Prishtinës.
“Bashkëpunimi me kryetarin Ahmeti është në nivelin e duhur dhe qeverisja po bëhet në bazë të parashikimit programor që shërbeu edhe si parakusht i arritjes së marrëveshjes përpara raundit të dytë të zgjedhjeve. Sa iu përket projekteve, disa prej tyre janë të derivuara nga plan-programi i AKR-së por tashmë, pas harmonizimit programor, gjërat po shtyhen përpara si një. E rëndësishme është që investimet kapitale në kryeqytet nuk do të mungojnë dhe rinia, si pika ime kryesore, nuk do të lihet anash, por do të jetë prioritet, bashkë me Prishtinën e gjelbër, investim i cili është i domosdoshëm”, ka thënë Pacolli.