Telegrafi

Ligji për Prishtinën, në agjendën e Qeverisë, në muajin tetor

Edhe pse me Kushtetutën e Kosovës, përkatësisht nenin 13 të saj, dhe me Ligjin për Qeverisje Lokale, Komuna e Prishtinës statusi dhe organizimi i kryeqytetit duhet të bëhen me ligj, ajo ende nuk e ka një ligj të tillë.

Ish-kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, tashmë kryeministër i Kosovës, sa ishte në krye të Komunës, akuzonte PDK-në se nuk po e dërgon në Kuvend Ligjin për Prishtinën. Por, edhe pas dy vite të ardhjes së tij në krye të ekzekutivit, nuk është aprovuar ligji në fjalë, shkruan sot Koha Ditore.

Edhe pse në strategjinë legjislative për 2016-n, Qeveria e ka përfshirë edhe Ligjin për kryeqytetin e Republikës së Kosovës-Prishtinës dhe aprovimi i tij në ekzekutiv planifikohej të bëhet në fund të qershorit, një gjë e tillë nuk do të ndodhë së paku deri në tetor të këtij viti.

Në një përgjigje zyrtare dhënë gazetës, nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, thuhet se kjo ministri ka caktuar zyrtarin përgjegjës për zhvillimin e Projektligjit për kryeqytetin.