Site icon Telegrafi

Ligji për pagat: Kë e prek vendimi i Kushtetueses?

Gjykata Kushtetuese e Kosovës shpalli të pavlefshme disa nene të Ligjit për pagat në sektorin publik, të miratuar në shkurt të këtij viti. Kjo Gjykatë veproi pas kërkesës së Avokatit të Popullit për kushtetutshmërinë e këtij ligji.

Kushtetuesja vendosi se, “paragrafët 2, 3 dhe 4 të nenit 41, për shtesat transitore, dhe paragrafi 2 i nenit 45 (shfuqizimi Ligjit për presidentin e Republikës së Kosovës) të ligjit të kontestuar, shpallen të pavlefshëm me hyrjen në fuqi të aktgjykimit”.

Çfarë nënkupton vendimi i Kushtetueses?
Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thotë se, sipas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese, personave të cilëve iu zvogëlua paga me hyrjen në fuqi të Ligjit për pagat, do të vazhdojnë pafundësisht të marrin pagën që e kanë pasur para hyrjes në fuqi të Ligjit për paga.

Kjo pasi Gjykata Kushtetuese ka anuluar paragrafin 2 të nenit 41 të Ligjit të pagave.

Ata do të vazhdojnë ta marrin shtesën transitore pafundësisht, deri në momentin kur rritja e koeficientit bën që të arrihet apo tejkalohet vlera e pagës paraprake.

Miftaraj shtoi se shërbimi i jashtëm i Kosovës, që ka qenë i përjashtuar edhe nga shtesa transitore, do të trajtohet njëjtë sikurse para hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Dispozita që i përjashton ata nga shtesa transitore anulohet. Ata nuk kompensohen retroaktivisht për dëmet që u janë shkaktuar nga hyrja në fuqi e Ligjit e deri më tani.

Me ligj të ri, pagat, sikurse ato të ambasadorëve, janë zvogëluar.

Pagat janë zvogëluar edhe për presidentin e vendit, për gjyqtarët e prokurorët.

Kujt do t’i rritet e kujt do t’i zvogëlohet paga?

Rrogat bazë në sektorin publik në Kosovë do të ndryshojnë nga 5 shkurti, me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për pagat, sipas të cilit vlera e koeficientit të pagave për vitin 2023 do të jetë 105 euro. Shumica e shërbyesve publikë pritet t’i marrin pagat e ardhshme me rritje.

Sipas Miftarajt, personat që janë punësuar pas hyrjes në fuqi të Ligjit, do të marrin pagën e njëjtë sikurse kolegët e tyre dhe ata nuk do të kompensohen retroaktivisht për dëmet që u janë shkaktuar nga hyrja në fuqi e Ligjit e deri më tani.

“Dispozita që e ul shpërblimin për përvojën e punës nga 0.5% në 0.25% për 15 vjetët e parë, është në kundërshtim me Kushtetutën. Kjo dispozitë nuk anulohet, porse Kuvendi obligohet që brenda 6 muajve ta adresojë këtë çështje. Ndërsa, efekti i aktgjykimit për këtë pjesë shtrihet nga data e publikimit të aktgjykimit”, thotë tutje Miftaraj.

Ai shton se Gjykata Kushtetuese “e ruajti pavarësinë funksionale të sistemit të drejtësisë, në atë mënyrë që anuloi dispozitat që i obligonin institucionet e sistemit të drejtësisë të kërkonin miratim nga Ministria e Punëve të Brendshme me rastin e krijimit të funksioneve apo pozitave të reja”.

Çfarë u anashkalua?

Megjithatë, Miftaraj thotë se disa nga çështjet që u anashkaluan nga Gjykata, është ajo e shtesave pa orar të paracaktuar për zyrtarët, të cilët nuk e kanë të njohur saktë orarin e tyre të punës.

“Sipas Ligjit të pagave, kjo shtesë nuk i jepet secilit zyrtar publik që punon në këto rrethana, por vetëm zyrtarëve politikë të kabineteve që punojnë në këto rrethana. Kjo çështje nuk trajtohet fare në njoftim, pra as nuk konfirmohet as nuk anulohet. Ka pak gjasë që aktgjykimi të përmbajë dispozita, të cilat e mbulojnë këtë çështje”, sqaron Miftaraj.

Ai thotë se nuk adresohet në mënyrë adekuate çështja e retroaktivitetit në raport me personat e punësuar në shërbimin e jashtëm pas hyrjes në fuqi të ligjit.

“Kjo pasi dëmtimi pasuror që u është krijuar atyre, për shkak të shkeljes së Kushtetutës të konstatuar nga Gjykata, nuk do të kompensohet retroaktivisht, por efekti i aktgjykimit për këtë pjesë shtrihet nga momenti i publikimit të aktgjykimit”.

Miftaraj thotë se për shkak të zbatimit të shtesës transitore, deri më tani askush nuk është dëmtuar nga Ligji për pagat:

“Në këtë situatë, mënyra e veprimit tutje në raport me ekzekutimin e pagave është e thjeshtë: Pagat duhet të vazhdojnë të ekzekutohet sikurse deri më tani, porse pagesa e shtesës transitore duhet të vazhdojë pafundësisht të paguhet deri në nivelin e pagës më të lartë që ka ekzistuar para hyrjes në fuqi të Ligjit të pagave. Pra, në vitin e dytë, tashmë kjo shtesë nuk duhet të reduktohet”.

“Nga data e publikimit të aktgjykimit, pagat e shërbimit të jashtëm duhet të jenë ato që kanë qenë para hyrjes në fuqi të Ligjit, në rastet kur paga në atë kohë ka qenë më e lartë, apo të vazhdojë të paguhet sipas Ligjit të pagave, nëse ka raste kur pjesëtarët e shërbimit të jashtëm nuk janë ndikuar negativisht nga hyrja në fuqi e Ligjit për pagat”.

Çfarë pritet tash?

Sipas Miftarajt, brenda 6 muajve, Kuvendi duhet t’i miratojë ndryshimet që kanë të bëjnë me përvojën e punës.

Sa u përket shtesave, institucionet e pavarura sipas nenit 2.3 të Ligjit për pagat, nuk kufizohen nga tavanet buxhetore të vendosura në Ligjin për pagat.

Me rastin e krijimit të funksioneve apo pozitave të reja, institucionet e pavarura nuk duhet të kërkojnë miratim nga MPB-ja.

Exit mobile version