Telegrafi

Ligji për Kuvendin, nuk ka privilegje për deputetët

Ligji për Kuvendin e Kosovës fuqizon rolin e këtij institucioni, rregullon pavarësinë e tij, detyrat dhe përgjegjësitë e deputetit, si dhe rolin e Kuvendit sa i përket zbatimit të MSA-së. Ndërsa, nuk parasheh asnjë beneficion shtesë për deputetët, përveç atyre që parashihen me rregullore të Kuvendit.

Kështu u tha në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, ku u bë shqyrtimi i projektligjit për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Armend Zemaj, anëtarë i këtij komisioni nga radhët e LDK-së, tha se ky projektligj sjellë disa risi në funksionimin e Kuvendit sa u përket raporteve mes Kuvendit, Qeverisë dhe institucioneve lokale, por dhe rregullimin e çështjes së administratës, pavarësisë buxhetore e funksionale, e mbi të gjitha sigurinë në punë dhe në kryerjen e detyrave, sipas mandatit kushtetues, të cilin e ka Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Ai thotë se nuk ka privilegje tjera për deputetë.

“Te beneficionet të jem i sinqertë, asnjë beneficion, asnjë privilegj nuk e kanë deputetet jashtë asaj që u takon me rregulloren e punës së Kuvendit, sa i përket pjesës së këtij projektligjit. Ajo çka fuqizohet, fuqizohet administrata e Kuvendit, fuqizohet pavarësia buxhetore e Kuvendit dhe fuqizohet roli i Kuvendit në raport me institucionet qendrore dhe lokale, kjo është edhe esenca e këtij projektligji. Në njërën anë i jepet siguri administratës së Kuvendit, që të ketë një mandat apo të jenë me një titull pak më ndryshe, shërbyes të Kuvendit dhe kjo është ajo çka është kërkuar dhe nga Ministria e Administratës Publike”, tha Zemaj.

Ndërsa, Selvije Halimi, nënkryetare e parë e këtij komisioni, i quajti të përshpejtuara komentet e Qeverisë, se projektligji për Kuvendin, ka ndërhyrë në disa ligje tjera.

“Nga analiza e komenteve të Qeverisë, të cilat i ka sjellë se projektligji për Kuvendin ka ndërhyrje në ligjin për menaxhimin e financave publike, prokurimin publik, shërbimin civil dhe teknologjinë. Unë mendoj se më tepër kanë ardhur si komente të përshpejtuara nga ana e Qeverisë, sepse ligji rregullon një pavarësi të Kuvendit, krijon një kornizë ligjore të Kuvendit, si institucion i pavarur, rregullon detyrat dhe përgjegjësitë e deputetit, stafin civil në Kuvend dhe stafin politik të grupeve parlamentare, si dhe përcakton rolin e Kuvendit në zbatimin e MSA–së. Pra, cila është detyra e Kuvendit gjatë zbatimit të MSA-së“, tha Halimi. /KP/