Telegrafi

Ligji për KPM-në, Kica-Xhelili: Po synohet të ushtrohet kontroll i drejtpërdrejtë mbi mediat në Kosovë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Doarsa Kica-Xhelili ka kritikuar ashpër miratimin e ligjit për KPM-në, duke e cilësuar atë si një “sulm mbi demokracinë”. 

“Votimi është shqetësues, është i dhimbshëm por jo i papritshëm. Pra ka një kohë të gjatë që sa i përket ligjeve të cilat në mënyrë të përditshme që po avokohen të largohen nga rendi i ditës, po vazhdojnë më një insistim të pashoq dhe s’po flasim veç për ligjin për KPM-në. Ligji që ka kaluar sot është një sulm mbi demokracinë. Sa i përket sulmeve mbi demokracinë, unë mendoj që Qeveria e sotme është duke etablu pjesëmarrjen e vet si shembull për të dhënë nesër mbasnesër të një qeverie e cila i përmbys të gjitha shtyllat e demokracisë”, ka deklaruar Kica-Xhelili në TV Dukagjini

Kica-Xjelili argumentoi se ligji, i cili në vetvete përmban synimin për të “politizuar KPM-në”, pasqyron synimin e qeverisë për të “ushtruar kontroll të drejtpërdrejt në mediat në Kosovë.”

“Një ligj kaq vital për mediat, i cili nuk e ka shterur konsultimin publik, një ligj i cili në përmbajtjen e saj vërehet që synimin e saj e ka politizimin e KPM-së, hiq më larg se te anëtarësia e KPM-së me lojën që po bëhet me numrin e anëtarëve të Këshillit, vërehet që synimi nuk ka të bëjë me rregullimin e mediave audio-vizuele. Vërehet që nuk ka të bëjë me mbështetjen e mediave por ka të bëjë me domosdoshmërinë e qeverisë së tanishmë që të kontrollojë në mënyrë të drejtpërdrejtë mediat në Kosovë”, tha deputetja.

Sipas saj, Kosova “shndërrohet në një shtet jo stabil, i cili po ndërmerr veprime që shkojnë në kundërshtim me demokracinë në vend.”