Site icon Telegrafi

Ligji për kontrollin e duhanit nuk po zbatohet

Ligji për Kontrollin e Duhanit ndonëse në fillim nisi të zbatohej në masë të madhe, viteve të fundit ky ligj nuk po gjen zbatim në vend.

Qytetarët ankohen se në kafene e madje edhe nëpër restorante ky ligj nuk po respektohet. Se ky ligj nuk zbatohet në shumicën e lokaleve afariste e konfirmon për Radio Kosovën edhe shefi i Inspektoratit Sanitar të Kosovës, Ibrahim Tershnjaku.

Ai theksoi se ekzistojnë shumë faktorë të cilët kanë bërë që të bie niveli i zbatueshmërisë së këtij ligji. Si faktor i parë, sipas tij, është mos shqiptimi i gjobave në kohë të duhur.

“Marrja e gjobës ka qenë shumë e vonuar ose hiç fare nuk është shqiptuar nga ana e gjykatës. Dhe ky fenomen i shfaqur në çështjen  e zbatueshmërisë së ligjit po merr përmasa të tjera, ndoshta edhe të mendimit të asaj se si të bëhet plotësim-ndryshimi i këtij ligji”, theksoi Tershnjaku.

Inspektorati Sanitar i Kosovës planifikon të organizojë disa aktivitete – kontrolle në muajt e ardhshëm gjatë stinëve kur pritet edhe prishja e motit.

Tershnjaku thotë se problem tjetër për mos zbatimin e Ligjit të Duhanit është edhe mos zbatimi i ligjit nga kryetarët e komunave.

E vetmja komunë që ka vullnet ta luftojë këtë dukuri është Komuna e Drenasit, thotë Tershnjaku.

“Në Komunën e Drenasit kemi një përgjegjësi dhe një konsideratë më të madhe nga ana e kryetarit që të zbatohet ligji. Shohim një progres në një qytet që nuk kemi menduar që do ta zbatojë Ligjin për Kontrollin e Duhanit. Në këtë drejtim kemi parë një fije drite, ta quaj kështu se edhe në Kosovë, edhe në vendet specifike ku mendohet të mos zbatohet ligji, aty në ato vende është zbatuar ligji”, shtoi Tershnjaku.

Megjithatë sa i përket zbatimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit në institucionet shëndetësore publike dhe atyre private, zëdhënësi në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, deklaroi se vërehet një përmirësim i dukshëm.

Hoti ka shprehur nevojën për përforcim të resurseve te të gjitha inspektoratet.

”Kanë nevojë që të kenë më shumë inspektorë, por kanë nevojë edhe për një mbështetje specifike për shkak se puna e inspektorëve e ka një natyrë të veçantë dhe inspektorëve u duhet të kryejnë inspektime edhe pas orarit të punës dhe në këtë pjesë atyre u duhet edhe mbështetje logjistike prej institucioneve të tjera, por pse jo edhe mbështetje financiare”, deklaroi Faik Hoti.

 

Ndryshe, sipas statistikave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbi dy mijë njerëz vdesin çdo vit në Kosovë nga duhani. Ndërkaq rreth 200 persona të tjerë thuhet të vdesin si pasojë e qëndrimit në ambiente të mbyllura ku konsumohet duhani. Në nivel global, sipas OBSH-së, si pasojë e duhanpirjes vdesin rreth 6 milionë njerëz, rreth 600 mijë si pasojë e duhanpirjes pasive.

Exit mobile version