Komisioni për çështje evropiane i Kuvendit të Maqedonisë, sot (7 shtator 2017) e përfundoi shqyrtimin e përgjithshëm të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, në lexim të parë, me çka Komisioni me 9 vota “pro” dhe me asnjë votë “kundër” dhe “të përmbajtur” e miratoi konkluzionin se Ligji është i pranueshëm, edhe nga aspekti i harmonizimit të tij me legjislacionin e BE-së dhe duhet të jepet në lexim të mëtejmë, njofton Telegrafi Maqedoni.
Kryetari i Komisionit, Artan Grubi, në fjalimin e tij hyrës theksoi me këtë ligj rrumbullakohet pjesa normative, e cila buron nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit dhe nga Amendamenti i 5-të i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.
Komisioni si trup punues amë i ligjit, i cili është me flamurin e Bashkimit Evropian dhe është pjesë e Programit Nacional për harmonizimin e legjislacionit me BE-në për periudhën 2017-2020, e filloi debatin për të martën, që vazhdoi të mërkurën dhe përfundoi sot, në pajtim me dispozitat e Rregullores së Kuvendit të Maqedonisë, me të cilat përcaktohet që shqyrtimi i përgjithshëm për ligjin në lexim të parë të përfundojë më së shumti në kuadër të tre ditëve pune./Telegrafi/