Telegrafi

Ligji për “branitellat” në seancën parlamentare të 29 tetorit

Në kuadër të kësaj seance në rend dite do të jetë edhe raporti i progresit të Komisionit Evropian dhe interpelanca për punën e kryetarit të Komisionit rregullator për energjetikë i parashtruar nga deputetët e opozitës.

Propozim -ligji në procedurë të shkurtuar është dorëzuar nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së, pasi që deputetët e saj e tërhoqën propozimin e parë të parashtruar në seancë të rregullt, ku u bllokua në seancat e Komisionit për politikë dhe punë sociale.

Sipas paralajmërimeve të BDI-së, partneri shqiptar në koalicionin qeveritar, ky ligj nuk duhet të miratohet sepse është i njëanshëm dhe nuk i përfshin të gjithë pjesëmarrësit në konfliktin në vitin 2001. Për shkak të kësaj, ata, siç paralajmëroi lideri i partisë Ali Ahmeti në deklaratën të hënën, do t’i shfrytëzojnë të gjitha mekanizmat demokratike që ta paranndalojnë miratimin e ligjit.

Grupi i deputetëve të BDI-së paralajmëroi se do ta bllokojë miratimin e ligjit me atë që do të parashtrojë pesë deri në 10 mijë amendamente. Tash për tash, sipas informacioneve nga Kuvendi, BDI-ja akoma nuk ka parashtruar asnjë amendament për Propozim-ligjin të parashtruar me procedurë të shkurtuar. /Telegrafi/