Telegrafi

Ligji për barazinë gjinore nuk gjen zbatim adekuat

Ligji për barazinë gjinore nuk po gjen zbatim, u tha të martën në konferencën “Përmirësimi i Llogaridhënies Institucionale për Zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore në Vendimmarrje”.

Në konferencën  e organizuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore u tha se është obligim i të gjithëve që të sigurohet barazia gjinore.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se në këtë drejtim janë hartuar tri ligje, ai për barazinë gjinore, ligji për avokatin e popullit dhe ligji kundër diskriminimit.

Ai po ashtu shprehu gatishmërinë për të dhënë kontributin e tij në këtë drejtim.

“Është obligim i të gjithë qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës të bëjnë zbatimin e barazisë gjinore”, tha ai.

Ndërsa, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari tha se në praktikë nuk ka pasur ndonjë lëvizje domethënëse për barazinë gjinore dhe se ligji nuk ka gjetur zbatim adekuat.

“Nuk ekziston një sistem i të dhënave që tregon për numrin gjinor”, tha ai.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, foli për aspektin ligjor dhe kujdesin për barazinë gjinore, po ashtu edhe për pjesëmarrjen e femrave në zgjedhje.

“Përfaqësuesit e subjekteve politike u besojnë më shumë meshkujve sesa femrave, u besojnë më shumë muskujve sesa gjinisë së bukur… Nuk e kemi asnjë grua si kryetare të komunave, por kjo ka qenë dëshira e votuesve”, tha ajo.

Drejtoresha ekzekutive e Institutit për Studime të Avancuara GAP, Nora Latifi-Jashari, u shpreh se grave nuk u jepet hapësirë në vendimmarrje.

“Në Kosovë vetëm 44% e grave janë të punësuara në arsim, ndërsa në ndërmarrje publike vetëm 12%”, tha ajo.