Telegrafi

“Ligji për ATO në Maqedoni, hap drejt reformave”

Ekspertët e vlerësojnë pozitivisht votimin e ligjit për Agjencinë Teknike Operative dhe ndryshimet ligjore në ligjin për polici, Punë të Brendshme dhe komunikime elektronike. Sipas ekspertit të Sigurisë, Bashkim Selmani propozimet në aspektin juridik paraqesin hap drejtë reformave dhe do të ndikojnë në efikasitetin e punës së policisë, megjithatë zbatimi i tyre në praktikë kërkon punë intensive.

“Reformat të cilët po bëhen kohëve të fundit, jo vetëm me këto tre ligje por edhe me ligjet për menaxhimin e sigurisë nacionale dhe të qytetarëve, në të vërtetë çojnë drejtë reformave. Çdo ligj përmban tre elemente: elementi historik, pritshmëria e ligjit dhe ndryshimi që mund të ndodh sa i përket garancisë së sigurisë nacionale”, tha për Alsat, eksperti i sigurisë Bashkim Selamani.

Kuvendi ditë më parë miratoi nevojën për sjelljen e ligjit për Agjencinë Teknike Operative. Me këtë ligj parashikohet formimi i Agjencisë e cila do të funksionojë veçmas nga DSK-ja dhe MPB-ja e që do të shërbej si institucion për ndjekje të komunikimeve.

Shumica miratoi nevojën për ndryshime ligjore edhe në ligjin për Punë të Brendshme, ndryshime këto të cilat parashikojnë kontroll të jashtëm të policisë nga Ombudsmani Policorë dhe formimin e Departamentit të veçantë në Prokurori Publike e cila do të ndjek vetëm veprat e kundërligjshme të punonjësve të policisë.