Site icon Telegrafi

Ligjet reformuese në gjyqësor pas festave, Xholev ankohet për presion përmes procedurave

Pakoja e ligjeve reformuese nga sfera e gjyqësorit ka hyrë në procedurë parlamentare. Ligji për Këshillin Gjyqësor pritet të kalojë pa problem, kurse për Ligjin për gjykatës, i cili kërkon dy të tretat e shumicës, pushteti e pret mbështetjen e opozitës në Parlament, njofton TV21.

Këto dy ligje janë pikat e para mbi të cilat do të bisedojë Këshilli, i cili do ta ndjekë zbatimin e strategjisë për reformat në gjyqësor. Zëvendësministri i drejtësisë, Oliver Ristovski thotë se ky trup do t’i shqyrtojë të gjitha vendimet ligjore, para se t’ia dorëzojë Kuvendit.

“Përveç monitorimit të zbatimit, Këshillit do të shqyrtojë të gjitha projektet ligjore, të cilat para se të hyjnë në Qeveri do të përgatiten nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. Pas publikimit të Regjistrit të vetëm elektronik kombëtar (ENER) dhe pas votimit në Qeveri, do të shqyrtohen edhe një herë para se të hyjnë në Kuvend dhe para se të votohen”, u shpreh Oliver Ristovski, Zëvendësministër i Drejtësisë.

Bashkësia ndërkombëtare ka vërejtur ndryshime të shpejta në gjyqësor. Alfredo Stripoli nga departamenti për sundimin e ligjit pranë misionit të OSBE-së në vend, thotë se gjykatësit dhe prokurorët në mënyrë proaktive marrin pjesë në procesin reformues.

Kryetari i Gjykatës Penale në Shkup, Ivan Xholev u ankua se disa prej vendimeve ligjore që janë sjellë viteve të fundit, kanë pasur për qëllim kontrollin mbi gjykatësit. Thotë se shumica e gjyqtarëve dyshojnë se shumë procedura të ngritura për shkarkim janë bërë vetëm për të frikësuar gjykatësit. Ai për herë të parë foli publikisht për procedurat e ngritura kundër tij.

“Nga mesi i vitit 2015 deri te mesi i 2017-tës, kundër meje janë ngritur 9 procedura për shkarkim. Të gjitha procedurat më vonë ishin ndalur, por më besoni se procedurat ishin jashtëzakonisht absurde dhe unë për këtë ndjeva presion tejet të madh. Njoh shumë gjykatës nga Gjykata Themelore-Shkupi 1 të cilët e kanë tejkaluar fatin e njëjtë sikur unë”, tha Ivan Xholev, Kryetar i Gjykatës Themelore Shkupi 1.

Ndryshe, një pako e re e ndryshimeve ligjore do të ketë edhe në qershor. Me ndryshimet aktuale në Ligjin për Këshillin Gjyqësor, kryetari i Gjykatës Supreme, i cili është anëtar i këtij trupi, e humb të drejtën e votës.

Exit mobile version