Zyra e OSBE-së në Maqedoni sot organizoi konferencën mediatike vjetore, në të cilën u diskutua për sigurinë e gazetarëve, kërcënimet fizike dhe verbale derisa e zhvillojnë profesionin e tyre dhe sa është e vështirë që femrat të merren me gazetari investigative.
Punonjësit e mediave, përfaqësues të sektorit civil, përfaqësues qeveritar dhe ata të OSBE-së, përmes fjalimeve të tyre ndanë eksperiencat e tyre gjatë zhvillimit të profesionit të tyre.
Panelistët rrëfyen historitë që tregonin kanosjet më të rrezikshme për jetën e tyre dhe të familjes së tyre, të cilat janë denoncuara gjithmonë tek organet e drejtësisë. Ata u ankuan se asnjëra prej denoncimeve nuk e ka marrë epilogun e duhur, duke mbetur në sirtaret e institucioneve përkatëse.
Ministri për komunikime, Ropert Popovski, tha se se liria e mediave dhe veprimi i lirë i gazetarëve ishin një ndër pesë shtyllat për reforma urgjente të propozuara nga Grupi i ekspertëve të Rajnhard Pribes, andaj ai e theksoi gatishmërinë e Qeverisë për zbatimin e këtyre reformave dhe për përmirësimin e kushteve për punën e mediave.
Temë e debatit ishte edhe problemi me lajmet e rrejshme, propagandën dhe dezinformimin të cilat janë të pranishme në rajon, sidomos nga mediat online, dhe mënyrat se si të luftohet kjo dukuri.