Kampionati elitar anglez, Liga Premier thuhet se ka miratuar planet për të bërë një ndryshim të madh në afatin kalimtar të verës për sezonin 2025/26.
Afati i transferimeve në Angli u mbyll më 30 gusht të këtij sezoni, duke i lejuar skuadrat të përforcojnë ekipet e tyre pasi kanë luajtur tashmë dy herë në Ligës Premier. Megjithatë, ky luks do të marrë fund.
Drejtuesit nga Shoqata Evropiane e Klubeve, e cila përfaqëson klubet nga Anglia, Spanja, Gjermania, Italia dhe Franca, janë të gjithë të etur për të siguruar një të ardhme ku lojtarët nuk mund të nënshkruhen pas fillimit të sezonit vendas.
Me sezonin 2025/26 që do të fillojë më 16 gusht, kjo tani do të thotë se afati kalimtar i transferimeve të Ligës Premier do të mbyllet të premten më 15 gusht.
Liga Premier tani shpreson se pesë ligat e tjera më të mira evropiane do të bien dakord për një marrëveshje për të ndjekur shembullin.
Plani fillimisht ishte menduar të vihej në zbatim këtë sezon, megjithatë, tërheqja e La Ligas për shkak të situatës së pasigurt të Barcelonës në lidhje me regjistrimin e lojtarëve do të thoshte që një marrëveshje nuk mund të arrihej.
Ish-drejtori i Sunderlandit, Chris Woerts, ulet në bordin e ECA-s dhe tani është një figurë e rëndësishme në Eredivisie Hollandeze.
Woerts ka zbuluar pse është hartuar plani për të vendosur të gjitha ligat evropiane në linjë për ndryshimin e madh.
“Klubet po punojnë shumë për të marrë vendimin për këtë brenda gjithë ECA-s. Vitin e ardhshëm afati kalimtar i transferimeve duhet të mbyllet më 15 gusht, përpara se të nisin ligat”, ka thënë fillimisht Woerts.
“Të gjithë po zhgënjehen dhe acarohen nga fakti që lojtarët ende shiten për javë të tëra, ndërkohë që garat kanë filluar”.
“Një klub i madh në Spanjë shkaktoi një problem kështu që nuk mund të ndodhte këtë vit. Ishte FC Barcelona. Për shkak të të gjitha problemeve të tyre financiare, ata nuk ishin në gjendje të bënin lëvizje në tregun e transferimeve deri në një fazë shumë të vonë. Kështu ata thyen paktin e ‘Pesës së Mëdhenjve’”, përfundoi ai. /Telegrafi/