Në 20-vjetorin e themelimit të lëvizjes për pavarësi të Kosovës, mund ta rifreskojmë edhe një herë kujtesën tonë historike. Madje, jo vetëm për të treguar respektin e skajshëm për një elitë intelektuale e kulturore, e cila ishte në nismë të Lidhjes Demokratike të Kosovës; jo vetëm për të kujtuar angazhimin e mijëra burrave e grave të Kosovës për të zgjidhur çështjen e shqiptarëve në Europën Juglindore dhe, në fund, jo vetëm për ta kujtuar prijësin e ideologun nacional, por, mbi të gjitha, për të krijuar një referencë të fuqishme historike e politike, e cila do të shërbejë si pikë orientimi për të ardhmen.
Por, çfarë nënkupton sot lëvizja për pavarësi, Lidhja Demokratike e Kosovës, e themeluar këtu e njëzet vjet më parë? Si ndodhi që një lëvizje intelektuale, me një bërthamë të fuqishme elitare kulturore, të shndërrohet në njërën ndër lëvizjet më të mëdha politike kundër ideologjisë komuniste? Cila ishte ideologjia politike e saj? A është ajo produkt i kontekstit të ndryshuar historik apo i vetëdijes së ndryshuar nacionale?
Ekzistojnë disa përgjigje dhe një e vërtetë.
Së pari, procesi i themelimit të saj, sikur e thotë shpesh z. Buxhovi, njëri nga nismëtarët e themelimit të LDK-së, është i përcaktuar nga ndryshimi i kontekstit historik në Lindje, sikur edhe nga ndryshimi i vetëdijes për nacionin. Shenja e parë e një organizimi të tillë, ndërkaq, duhet të kërkohet në nivelin intelektual, si kundërvënie ndaj tendencave akademike e politike për legjitimimin e hegjemonisë serbe në ish-federatën jugosllave. Si kundërvënie koncepti i intelektualëve të mëdhenj të Kosovës synonte zhvillimin e vetëdijes nacionale, duke e artikuluar synimin e tyre në katër pika të rëndësishme, dy nga të cilat ishin barazia dhe demokracia, të cilat më vonë u shndërruan po ashtu në dy nga premisat thelbësore të programit nacional të LDK-së.
Kjo vetëdije u artikulua nga një elitë intelektuale e kulturore, kryesisht e mbledhur në gazetën “Rilindja”, të cilët ngjallën një frymë besimi, e cila u përkrah gjerësisht. Jemi të bindur se krijimi i kësaj fryme, e cila e shndërroi shpejt LDK-në dhe prijësin e saj, dr. Rugovën, në ikonë të besimit (kujtoni anëtarësinë shtatëqindmijëshe e cila u mblodh shumë shpejt), është refleksion i një vetëdije të fuqishme intelektuale me premisa politike, e cila dinjitetin personal e nacional i mbronte sipas parimeve të lirisë universale. Më tej, lidhja e krijoi një frymë besimi për vlerat e përbashkëta dhe kjo pati si rrjedhojë krijimin e një solidariteti të gjerë qytetar e politik, i cili e mbrojti vetë organizimin nga çfarëdo çarjeje. Lidhja jonë (LDK-ja) është e fortë e nuk shprishet, sepse bazohet në besim, thoshte dr. Rugova.
Së dyti, lidhja ndikoi që qytetari i Kosovës t’u kthehej vlerave të veta shpirtërore dhe për ta përfillur këtë synim ajo (lidhja) i shpaloste premisat identitare nacional-kulturore, si dhe trashëgiminë e pasur kulturore.
Më tej, ajo ndikoi në artikulimin e kërkesave politike dhe në sprovimin e përditshëm të tyre, duke ndikuar në krijimin e një të mirëfillte kulture politike ndër shqiptarët e cila u mbështet në parime të fuqishme morale dhe humane.
LDK-ja e orientoi politikën shqiptare drejt dimensionit nacional, duke i theksuar shenjat e identitetit nacional. LDK-ja prej themelimit të saj e deri sot bëri që Kosova të sillej rreth boshtit të saj shpirtëror, politik e nacional. Duke bartur një koncept konservativ të tipit europian, që e afirmon traditën, familjen etj…, dhe si parti e cila besën/besimin i ka të trashëguara si vlerë identitare, LDK-ja, tradicionalisht ka reflektuar kulturë besimi dhe lidhje të fuqishme strukturore. Vetë Rugova ishte njeriu më i besuar ndër shqiptarë. Ai kuptohej dhe besohej lehtë nga të gjithë. Ai ishte njeriu i fjalës, për më tepër ishte njeri i besës. Ai e kultivonte atë.
LDK-ja, kësisoj, shërbeu si një lëvizje e gjerë qytetare për pavarësi. Përveç në besim, ajo u mbështet fort edhe në kujdesin qytetar. Kujdesi ndaj familjes, ndaj vlerave që ajo përfaqëson, është kujdesi për vlerat tradicionale të shoqërisë. Vitet ’90, prandaj, shënojnë model të organizimit familjar e për familjen, i cili është artikuluar si vetëdije për mënyrën e organizimit të brendshëm të jetesës. Nuk mund të paragjykojmë rezultatet e kërkimit të një analize që sociologët do të mund ta bënin për këtë fenomen, por mund të konstatojmë se modeli i organizimit të jetesës, solidarizimi me vlerat e traditës dhe me konceptin për nacionin, si dhe ruajtja e kultivimi i shenjave identitare të familjes, janë model i papërsëritshëm i organizimit. Le ta rikujtojmë me këtë rast modelin e kujdesit ndaj familjes dhe institucionin e shëndetit, klinikën “Nënë Tereza”, si shembull të kultivimit të kësaj vetëdijeje.
Si përfundim, fakti se lidhja e ka ndërtuar modelin e ekzistimit të një kulture të thellë të besimit në vlerat e përbashkëta, në paradigmat nacionale, në ekzistimin e kodeve nacionale, pastaj kultivimi i një modeli të përfaqësimit, i cili mbështetej qartësisht në vlerat intelektuale-kulturore, janë premisa të cilat ideologjinë e saj e shndërrojnë në pjesë të kulturës tradicionale. Dhe, ne tashmë flasim hapur për një trashëgimi të konsoliduar. Duke e kujtuar atë, ne e shndërrojmë atë në vlerë përfaqësuese… Këtu nuk mbyllet, por hapet pafundësisht roli i saj në veprimin tonë strategjik.
(Autori është shef i Departamentit të Komunikimit në LDK)