Telegrafi

Lidhja me Italinë, Kosovën dhe Maqedoninë

 “Shqipëria, si një superfuqi energjetike në rajon, parakupton një infrastrukturë të re transmetimi dhe lidhjeve energjetike me rajonin. Në këtë kontekst, pas përfundimit të linjës Elbasan-Podgoricë, do të fillojë dhe pëfundojë, brenda këtij mandati, linja Tiranë-Prishtinë, Elbasan-Shkup, si dhe linja nënujore Shqipëri-Itali”,- shprehen burime zyrtare pranë Ministrisë së Energjetikës. Për ndërtimin e këtyre linjave do të kërkohet bashkëpunimi me institucionet financiare ndërkombëtare, siç po veprohet edhe në rastin e linjës Tiranë-Podgoricë, punimet për ndërtimin e së cilës ndodhen në proces.

Ashtu si edhe në mandatin e mëparshëm, qeveria mbetet e angazhuar për të realizuar objektivin e shndërrimit të Shqipërisë në një superfuqi energjetike në rajon. Por strategjia e Ministrisë së Energjetikës parashikon që përveç shfrytëzimit të burimeve hidrike nëpërmjet ndërtimit të hidrocentraleve, vëmendje do t’i kushtohet edhe shfrytëzimit të burimeve të rinovueshme të energjisë, përfshi këtu ndërtimin e centralit nuklear, një projekt nga i cili nuk është hequr dorë dhe që pritet të realizohet brenda katër viteve të ardhshme.

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka planifikuar që brenda katër viteve të ardhshme të “thithë” një fluks investimesh në sektorin e energjisë elektrike që kap vlerën e 5 miliardë eurove. Projektet më të rëndësishme që pritet të realiohen janë kaskada e Devollit, por edhe ofrimi për kompanitë private e ndrëtimit të hidrocentraleve në kaskadën e Vjosës, Osumit, Shkumbinit, Matit, Skavicës dhe degëve të Drinit, si dhe parqe të mëdha eolike të Lezhës, Karaburunit, parqet energjetike të Porto Romanos, Lezhës, etj.