Telegrafi

Lidhja e Sindikatave është duke përgatitur padi ndërkombëtare kundër shtetit

Lideri i sindikatave Darko Dimovski sot është në Beograd ku së bashku me sindikatat evropiane përgatitin padinë që do dërgohet në gjykatat dhe institucionet ndërkombëtare.

“Alsat” njofton se organizatat sindikaliste evropiane do ta mbështesin LSM-në dhe me përpjekje të përbashkëta do të mundohen të korrigjojnë, siç thonë ata, padrejtësinë ndaj të punësuarve në sektorin publik.

Ndërsa në Shkup, ministri i Drejtësisë Nikolla Tupançevski sot tha se nuk e di si do veprojë Qeveria dhe si do t’i bindë sindikalistët të mos bëjnë padi kolektive kundër shtetit.

“Padyshim ndërmjetësimi si formë paraprake e bisedimeve që vërtetë është më e lirë dhe jep rezultate përpara se të arrijë në përmbushjen formale-juridike të të drejtave”, tha Nikolla Tupançevski, Ministër i Drejtësisë.

Por sindikalistët një ditë më parë njoftuan se nuk do të ketë marrëveshje dhe negociata të reja me autoritetet. Ata janë të bindur se nëse të drejtat e tyre nuk mbrohen nga gjykatat vendore, atëherë gjykatat ndërkombëtare do ta bëjnë këtë dhe se çdo punonjës në sektorin publik, i cili nuk ka marrë rritje prej 2.806 denarë pas rritjes së pagës minimale, do mund ta padisë shtetin.

“Shteti me vetëdije po dërgohet në shpenzime gjyqësore dhe për avokatë, ndërsa ne do t’i marrim ato para, si në të kaluarën, me kamata të madh dhe do t’i marrim paratë në grumbull. Pra dikush me vetëdije po e dëmton shtetin, duke mos respektuar Ligjin për Pagën Minimale”, u shpreh Darko Dimovski, kryetar i LSM-së.

Në shenjë revolte kryesia e LSM-së protestoi me ditë të tëra në Shkup, duke bllokuar bulevardet kryesore dhe institucionet shtetërore.

Sindikalistët dorëzuan edhe amendament gjatë rishikimit të buxhetit, por deputetët e shumicës nuk e pranuan./Alsat/