Telegrafi

Lidhja e bujqve të Maqedonisë: çmimi i qengjit shumë i ulët

Në prag të Pashkëve, mishi i qengjit shitet me çmim prej 120 denarë për kilogram, reagojnë nga Lidhja e bujqve. Sipas tyre, çmimi është më i ulët, nëse bëhet një krahasim i disa viteve të fundit, kur mishi i qengjit shitej me çmim prej 160 denarë për kilogram, bëri të ditur agjencia Meta, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Fermerët nuk mund ti mbulojnë shpenzimet, shumica prej tyre janë në një humbje. Problemi mund të tejkalohet nëse qeveria do të heqë ndalimin e eksporteve të bagëtisë.

– Ne tani jemi të detyruar t’ua shesim mishin e qengjit thertoreve vendore, të cilët e formojnë çmimin me firma nga Italia dhe Kroacia ku qengji eksportohet i therur dhe shitet me çmim shumë më të lartë nga ai që na e diktojnë neve. Po  të kishim mundësi të eksportojmë bagëti të gjallë, jashtë vendit tonë do ta shisnim me çmim shumë më të lartë. Kemi biseduar me firma nga Turqia, Kroacia dhe nga vende tjera, të cilët dëshirojnë të blejnë qengja të gjallë, por ne si fermerë kemi ndalesë për eksport – thotë Megjit Amiti, nënkryetar i Lidhjes së bujqve të Maqedonisë.

Për shkak të çmimit të ulët, sipas Amitit, fermerët heqin dorë nga kultivimi i deleve. E therin tërë bagëtinë.

– Fermerët nuk kanë para për kultivimin e bagëtisë. Harxhimet janë të mëdha, për ushqim, e mos dhëntë Zoti të sëmuret bagëtia. Prandaj, janë të detyruar ti therin qengjat, ata shumë rrallë ruajnë dele për shumim, për këtë arsye viteve të fundit numri i qengjave në Maqedoni është në rënie – thotë Amiti.

Në Maqedoni momentalisht ka  rreth 500.000 dele të regjistruara, për dallim me periudhën prej para dy dekadave kur numri i tyre ishte dy milionë./Telegrafi/