Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa në 27 vjetorin e themelimit të LDK-së ka thënë se 27 vjet më parë gratë dhe burrat më të mirë të Kosovës u bashkuan për t’i dhënë fund errësirës dhe duke u bërë kështu doktor Ibrahim Rugova fener të gjithë shqiptarëve.
Në fjalimin e tij para familjes Rugova, anëtarëve të LDK dhe të ftuarve tjerë ai gjithashtu tha se vizioni i Rugovës për Kosovën është shndërruar në përcaktim të popullit për Kosovën, duke siguruar paqe dhe stabilitet në Kosovë.
“LDK është themeluar për të siguruar stabilitet dhe demokraci në vend. E ka orientuar Kosovën nga rrënjët siç i quante Rugova ‘Rrënjët e Dardanisë Antike’. LDK është anëtare e Partisë Popullore, me ç’rast morëm dhe një telegram urimi. Në këto 27 vjet LDK i ka shërbyer qytetarëve gjithmonë, dhe ka kapërcyer sfidat jo të lehta në ndërtimin e demokracisë në vendin tonë”, tha Mustafa.
Ai po ashtu kujtoi flijuesit për Kosovën të cilët ishin pjesë e LDK-së.
“Do të ju jemi mirënjohës flijuesve të LDK-së që dhanë kontribut për vendin tonë si Fehmi Agani, Nekibe Kelmendi, Latif Berisha etj. Po ashtu edhe Sali Cekaj, Agim Ramadanin, Ahmet Krasniqi e Tahir Zemaj. Gjithë këta emra janë letërnjoftimi më i mirë nacional dhe frymës demokratike të Kosovës”, ka thënë ai. /Telegrafi/