Telegrafi

Lidhet me një kalim te Chelsea dhe Tottenhami – vjen përgjigja nga Vincent Kompany

Trajneri i Burnleyt, Vincent Kompany i është përgjigjur raportimeve se ai është një nga kandidatët për të marrë drejtimin e Chelseat ose Tottenhamit, duke thënë se kjo është diçka për të cilën ai nuk ka kohë as të flasë.

Të dyja klubet londineze po vendosin se kë të emërojnë pasi të dy përjetuan sezon zhgënjyes, në të cilin trajnerëve të tyre u është treguar dera.

Ish-trajneri i Bayern Munichut, Julian Nagelsmann, ka qenë i lidhur fort me të dy klubet, ndërsa ish-trajneri i Spurs, Mauricio Pochettino është shfaqur si një favorit për Chelsean.

Lexo po ashtu Kompany në listën e Chelseat për trajner - si mund të luajnë Blutë nën menaxhimin e belgut

Dhe emri i Kompany është gjithashtu si opsion për t’u ulur në stolin e njërës prej tyre.

I pyetur në lidhje me spekulimet pas humbjes së skuadrës së tij ndaj QPR të shtunën, ai tha: “Unë kam thënë se nuk jam përfshirë në asnjë nga këto biseda”.

“Unë kam shumë gjëra në këto momente në kokën time për sa i përket dëshirës për të fituar ndeshje futbolli. Kjo është e vetmja gjë që më intereson”.

Kompany ka shkëlqyer pas kthimit të tij në Angli, pas dy vitesh që drejtoi skuadrën belge Anderlecht.

Legjenda e Manchester Cityt ka transformuar një skuadër që po rikthehet në edicionin e ri në Ligën Premier.

Ata kanë marrë 92 pikë nga 129 të mundshme, ndërsa kanë marrë lëvdata për stilin e tyre emocionues të futbollit. /Telegrafi/