Site icon Telegrafi

Lideri verikorean ka vizituar Kinën

Pas disa ditësh spekulime, u konfirmua se udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un ka vizituar Kinën.

Vizita, e konfirmuar nga Kina dhe Koreja e Veriut, është udhëtimi i parë i Kimit jashtë vendit prejse ai ka marrë detyrën në vitin 2011.

Kim ka pasur “bisedime të suksesshme” me liderin kinez, Xi Jingping, në Pekin, raportoi agjencia kineze e lajmeve Xinhua.

Kina është aleatja kryesore ekonomike e Koresë së Veriut.

Analistët kanë paralajmëruar se Phenjani do të konsultohet me Pekinin përpara samiteve të planifikuara me Korenë e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara.

Kim pritet të takojë presidentin jugkorean, Moon Jae-in, në prill, dhe presidentin amerikan, Donald Trump, në maj.

Gjatë vizitës, Kim siguroi homologun e tij kinez se ai ka vendosur të heqë dorë nga armët e tij bërthamore, njoftoi Xinhua, por me disa kushte, raporton Rel.

“Çështja e denuklearizimit të Gadishullit Korean mund të zgjidhet, nëse Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara u përgjigjen përpjekjeve tona me vullnet të mirë dhe krijojnë atmosferë të paqes dhe stabilitetit”, raportohet të ketë thënë Kim.

Exit mobile version