Lideri veri-korean falënderon Jugun për “mikpritjen mbresëlënëse”
Besnike Salihu
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-Un, e ka lavdëruar Korenë e Jugut për, siç tha, mikpritjen “mbresëlënëse” të delegacionit të Veriut në Lojërat Olimpike Dimërore.
Komentet vijnë pasi delegacioni zyrtar i Veriut, i udhëhequr nga motra e Kimit, Kim Yo-Jong, ka mbaruar vizitën historike dhe është kthyer në Phenjan.
“Pas raportit të delegacionit mbi vizitën, Kim Jong-Un shprehu kënaqësi mbi të,” raportoi media shtetërore KCNA.
Siç njofton Rel, ka qenë ky delegacioni më i lartë veri-korean që ka vizituar Jugun që nga Lufta e Koresë në vitet 1950.
Dy vendet nuk kanë nënshkruar kurrë traktat të paqes për të përfunduar zyrtarisht luftën dhe janë në një gjendje konstante të mosbesimit reciprok.
Pjesëmarrja e Koresë së Veriut në Lojërat Olimpike është parë si një ngrohje e marrëdhënieve midis dy Koreve, ndonëse ka pasur gjithashtu shqetësime se ajo i ka mundësuar Koresë së Veriut të blejë kohë për zhvillimin e programit të saj bërthamor.