Telegrafi

Lideri udhëton në Gjakovë, Liria do të presë të rinjtë e Besës

Java e 15-të në elitën e futbollit kosovar do të startojë ditën e sotme me dy ndeshje shumë të rëndësishme.

Padyshim që vëmendja e adhuruesve të futbollit kosovar do të jetë në qytetin e Gjakovës.

Vëllaznimi do të jetë nikoqire e liderit aktual Llapit në një sfidë që pritet të grumbullojë mijëra shikues.

Hendikepi më i madh për vendasit në këtë takim do të jetë portieri Altik Muhaxhiri që nuk do të luajë për shkak të kartonit të kuq që mori në ndeshjen e kaluar.

Gjakovarët vijnë në këtë takim pas humbjes së thellë 3-0 në udhëtim te Feronikeli, ndërsa Llapi pas fitores së thellë në mesjavë 1-6 te Besa.

Aktualisht diferenca në tabelë mes dy klubeve është tetë pikë në favor të Llapit.

Ndeshja e dytë e ditës së sotme pritet të zhvillohet në Prizrenin e bukur.

Befasia më e mirë e këtij kampionati, Liria e Prizrenit do të jetë nikoqir i Besës së Pejës në derbin e rrafshit të Dukagjinit.

Favorit kryesor për ta fituar ndeshjen është Liria pasi pejanët po luajnë me lojtarë të rinj pas bojkotit që i kanë bërë lojtarët e ekipit të parë.

Prizrenasit vijnë në këtë sfidë pas fitores 2-0 si vendas ndaj Flamurtarit, ndërsa Besa nuk di për fitore që gjashtë ndeshje ku ka pësuar pesë humbje dhe ka marrë një barazim.

Të dyja ndeshjet fillojnë me fillim nga ora 13:00. /Telegrafi/