Një lider i shquar i bandës haitiane, i cili u arratis nga burgu në fillim të këtij muaji, është qëlluar për vdekje nga policia – ndërsa grupet politike duket se po i afrohen finalizimit të një këshilli tranzicioni në vend.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Ernst Julme, i njohur si Ti Greg, ishte kreu i Delmas 95, i cili është pjesë e aleancës së bandave të Jimmy “Barbecue” Cherizier.
Julme u qëllua nga policia në lagjen Petion-Ville të kryeqytetit Port-au-Prince, një ditë pasi Makandal, një tjetër drejtues bande, u vra.
Vdekja e Julme shënon një pengesë për aleancën e bandave të Cherizier “Viv Ansanm” që shpreson të marrë nën kontroll më shumë pjesë të Port-au-Prince.
Haiti hyri në gjendje të jashtëzakonshme më 3 mars pasi Cherizier bëri thirrje që grupet kriminale të bashkohen dhe të rrëzojnë kryeministrin e vendit Ariel Henry.
Sulmet nga bandat e fuqishme ndaj objektivave kryesore të qeverisë kishin filluar më 29 shkurt në të gjithë Port-au-Prince, me persona të armatosur që dogjën stacionet e policisë, mbyllën aeroportet kryesore ndërkombëtare dhe “bastisën” dy burgjet më të mëdha të vendit, duke liruar 4,000 të burgosur.
Të enjten, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres mirëpriti raportet se grupet politike në Haiti kishin zgjedhur të gjithë anëtarët e një këshilli kalimtar, i vendosur për të marrë pushtetet presidenciale përpara zgjedhjeve të ardhshme në vend.
Këshilli, i cili synon të bashkojë klasën e përçarë politike të Haitit, ka mandat të emërojë një zëvendësues për z. Henry, i cili njoftoi dorëheqjen e tij më 11 mars, pasi dhuna e bandave pengoi kthimin e tij në vend.
Këshilli do të ketë gjithashtu disa kompetenca presidenciale deri në mbajtjen e zgjedhjeve. /Telegrafi/