Maqedoni po futet në zgjedhje për më pak se një muaj dhe Instituti Republikan Ndërkombëtar i njohur si IRI ka bërë një anketë ku qytetarët janë pyetur për mbështetjen që ata do t’i japin kryetarëve të partive.
Rezultatet janë të përfaqësuara në tre shkallë, për tre muaj të ndryshëm: Nëntor 2016, Mars 2017 dhe Gusht 2017, njofton Telegrafi Maqedoni.
Zoran Zaev në anketën e fundit ka 16% të besimit të qytetarëve, Nikolla Gruevski ka 11% të besimit të qytetarëve, Ali Ahmeti ka 6% të besimit të qytetarëve i ndjekur nga Gjorge Ivanov me 5% të besimit të qytetarëve. Ziadin Sela ka pësuar rritje në këto tre muaj të caktuara, tani ai ka 4% të besimit të qytetarëve kurse Bilall Kasami nga Lëvizja Besa ka 3% të besimit të qytetarëve.
Interesante është ngjitja e Arben Taravarit në 2% të besimit të qytetarëve dhe tejkalim të ish-kryetarit të tij, Menduh Thaçi i cili ka vetëm 1%.
Kjo anketë është bërë nga 4 deri në 21 gusht, me komunikim fizik që janë bërë nga profesionistë të përgatitur nga IRI. Janë përgjigjur 1105 qytetarë të moshës mbi 18 vjeç. /Telegrafi/