“Ku mbetën 200 mijë vende të punës?”, e pyeti dy muaj më parë Fatmir Limaj i NISMA-s, kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselin. E Ramush Haradinaj i AAK-së i kërkoj Veselit llogari për akuzat për haraç.
Por ende pa marrë përgjigje, mëngjesi i së mërkurës i zbardhi bashkë në një listë për të kërkuar besimin e qytetarëve për Qeverinë e re, shkruan Gazeta Fjala.
Krahu i luftës, siç njihen në opinion këto parti politike u bashkua në paqe përballë Lidhjes Demokratike të Kosovës, të udhëhequr nga Isa Mustafa e Aleancës për Kosovën e Re të Behgjet Pacollit, i cili e thoshte se Mustafës i mungon guximi, morali, vullneti dhe vizioni ekonomik për ta zhvilluar shpejtë Kosovën.
Bashkë me ta do të garojnë në një listë edhe kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari – Lila e Hykmete Bajrami e LDK-së. Të dyja drejtuan Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në mandate të ndryshme qeverisëse, por gjatë tërë kohës akuzuan njëra tjetrën për keqpërdorime.
Gazeta Fjala, sjellë deklaratat që bënë për njëri tjetrin në fushën e ekonomisë, liderët politik para se të hiqnin vijat e kuqe për njëri tjetrin.
Haradinaj shkelë vijën e kuqe
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të bëjë asnjëherë koalicion me partitë që ishin në pushtet, tha lideri i saj Ramush Haradinaj. Por një javë më pas u bë bashkë me ata, të cilëve u kishte vënë vijë të kuqe, e i kishte akuzuar për shkatërrim të shtetit.
“Nuk ka asnjë marrëveshje me partitë në pushtet. Aleanca ka vijë të kuqe me këto parti. Ne në asnjë variant nuk do të bashkëpunojmë me partitë në pushtet dhe i bëjmë thirrje qytetarit të vendit që t’i gjykojë këta me votë për dëme që ia kanë shkaktuar vendit dhe i bëjmë thirrje qytetarit që na japë besimin që ta shpëtojmë vendin nga katrahurat ku e kanë sjell PDK-ja dhe LDK-ja”, tha Haradinaj.
Ai kishte kërkuar llogari nga kryetari i partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli për akuzat që i bëheshin si lider i partisë së haraçit.
“Ja u kemi dhënë pushtetin atyre që na akuzojshin, në këtë rast LDK-së dhe PDK-së edhe me siguri ata e dinë të vërtetën, ose i kanë dënuar njerëzit e haraçit e njerëzit e krimit. Pra, ja u kemi jep pushtetin pikërisht atyre që na i atribuojshin këto. Janë që disa vite në pushtet, PDK është nga 2008, LDK disa herë e edhe tash, e ata le të na tregojnë se a kemi ne lidhje me krimin apo jo”, kishte thënë Haradinaj, raporton Gazeta Fjala.
Limaj akuzonte Thaçin e Veselin për privatizim të shtetit
“Hashim Thaçi e Kadri Veseli po dëshirojnë ta privatizojnë shtetin”, kështu thoshte kreu i partisë opozitare Nisma për Kosovën Fatmir Limaj, më 20 nëntor 2016.
Ish-ministri i Postë Telekomit të Kosovës kishte fajësuar qeverinë edhe për kodin telefonik, duke thënë se marrëveshja për kodin telefonik përfundimisht po e bënë Serbinë bashkëpronare të aseteve shtetërore të Kosovës dhe po shkakton dëme të tjera ekonomike.
Fatmir Limaj gjatë gjithë kohës ishte kundër privatizimit të PTK-së duke thënë se vota e tij nuk do të shkojë pro kësaj çështje. Madje edhe në kohën sa ishte pjesë e PDK-së kishte dalë kundër këtij procesi.
Por më e veçanta duket të jetë se dy muaj para se të bëheshin bashkë partia opozitare NISMA ka kritikuar ashpër duke kërkuar përgjigje nga kreu i PDK-së që para “një fillim të ri” t’ju tregoj premtimet e “Misionit të ri”.
Sipas NISMA-s, slogani i Partisë Demokratike të Kosovës me frazën “Fillimi i ri” ka shpallur dështimin e një misioni të ri.
Më poshtë janë 14 pyetjet e NISMA-s për Kadri Veselin:
Ku mbetën 200 mijë vende të punës? Apo ato kanë qenë vetëm një fryrje e numrit gjatë fushatës dhe premtim për militantët e PDK-së, të cilët çdo ditë po i shohim në institucionet shtetërore dhe publike.
Ku mbet liberalizimi i vizave të cilin e keni premtuar?
Pse nuk kemi zhvillim ekonomik, dhe investime te huaja?
A po ikin investitorë nga krimi dhe korrupsioni që e ka kapluar Kosovën nga qeverisja e juaj?
Ku mbet fondi i investimeve prej 2 miliard Euro?
Gjendja në shëndetësi është kaos, mungojnë gjerat elementare, ju keni premtuar një shëndetësi me standarde evropiane pse nuk po e bëni? Kosovarët kërkojnë shërim me vendet e rajonit dhe të Evropës.
Pse jemi radhit të fundit në listën e Pisa-s? Ju keni premtuar arsim cilësor ?
Pse nuk e zhvilluat bujqësinë? Kosova produktet bujqësore i importon nga Serbia dhe Maqedonia.
Keni premtuar rrymë 24 orë? Në shekullin 21 Kosova vazhdon të ketë probleme me rrymë.
Çka u bë me “Kosovën e re”?
Keni thënë se do ta luftoni krimin korrupsionin pse nuk e bëtë? Në shumë raporte ndërkombëtare ne radhitemi në krye të listës si vendi me i korruptuar.
Çka u bë me Brezovicen?
Çka u bë me Trepçën?
Sa është numri i të rinjve që kanë ikur nga Kosova gjate këtij mandati tuaj?
Akuzat e Pacollit për dështimet e Musafës
Kryetari i Aleancës për Kosovën e Re (AKR), Behgjet Pacolli, që tashmë ka bërë koalicion me Lidhjen Demokratike të Isa Mustafës, muaj më parë, sa ky i fundit ishte shefi i qeverisë, nuk ka lenë fjalë pa ia thënë rreth zhvillimeve ekonomike në vend dhe dështimit te tyre.
Pacolli akuzat më të shpeshta në drejtim të Qeverisë Mustafa, i ka pasur për ndërmarrjen Trepça, Kosovën e Re dhe Brezovicën.
Ai në atë kohë thoshte se pozitës së tanishme, i mungon guximi, morali, vullneti dhe vizioni ekonomik për ta zhvilluar shpejtë Kosovën.
“Nëse transformimi i Trepçës e cila simbolizon fuqinë industriale dhe ekonominë e Kosovës, dështon me miratimin e Qeverisë së Kosovës, atëherë kjo Qeveri nuk ka aftësi të mbrojë as më të voglin interes të qytetarëve të saj”, thoshte Pacolli.
Presidenti i AKR-së, fjalë jo të mira pati fol edhe, për dështimin e privatizimit të Brezovicës, ai në një postim në Facebook fajtor pati lënë Qeverinë e Kosovës.
Sipas Pacollit, ky projekt krejtësisht është i kamufluar dhe nuk ka pasur transparencë gjatë gjithë periudhës sa është menaxhuar dhe rezultati është ky dhe kërkonte llogari qeveritarëve.
Në një shtet ku funksionon rendi dhe ligji, në rrethana të tilla dikush do të duhej të dilte patjetër para drejtësisë për të dhënë llogari”, deklaronte Pacolli pak muaj se të bënte marrëveshje me Isa Mustafën për koalicion.
Pacolli kritika në drejtim të Qeverisë së Isa Mustafa ka pasur edhe për çështjen e punësimit. Disa herë ka thënë se kjo qeveri ka mashtruar qytetarët duke u premtuar vende të punës, të cilat, sipas Pacollit nuk janë realizuar kurrë.
Mimoza në një shtëpi me Hykmetën
Alternativa e Mimoza Kusarit iu ka bashkuar në koalicion parazgjedhor Lidhjes Demokratike të Kosovës. Mirëpo, Mimoza Kusari dikur ministre e Tregtisë dhe Industrisë kishte akuzuar Hykmete Bajramin e LDK-së gjatë kohës kur kjo e fundit ishte në krye të këtij posti.
Kusari kishte drejtuar akuza të shumta ndaj Bajramit duke e quajtur të papjekur politikisht dhe kritikuar për qeverisjen në Ministrinë e Tregtisë.
Bajrami i kishte reaguar Kusarit duke ia numëruar shkeljet që ajo kishte bërë gjatë mandatit të saj.
Mes tjerash Bajrami i kishte thënë Kusarit se është shumë e aftë që të bëjë reklamim madje të shes edhe “kalin e ngordhur”.
“Zonja Kusari, unë e pranoj se ne politike jam shume me vone se ju, nuk ju afrohem me aftësinë qe keni për të bërë PR – keni aftësi ta shisni kalin e ngordhur thotë populli, as për te zëne miqësi me ndërkombëtaret nuk mund te ju vij afër POR kur jemi te lufta kundër korrupsionit – këtë beteje me mua gjithmonë do ta keshe të humbur”, thoshte Bajrami./Gazeta Fjala/