Site icon Telegrafi

Liderët shtetërorë urojnë Kosovën për rezultatin në lojën me Danimarkën

Pas përfundimit të ndeshjes, Kosovë-Danimarkë me rezultat 2 me 2, kanë ardhur edhe reagimet e krerëve të shtetit të Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se përballë miqve danezë, barazimi është rezultat i mirë.

“Një ekipi të madh botëror, siç është kombëtarja e Danimarkës, kombëtarja e Kosovës i dëshmoi që është fuqi ballkanike në fushën e gjelbër. Paraqitje tepër e mirë e djemve tanë. Përballë miqve danezë, edhe barazimi është rezultat i mirë”, ka shkruar Thaçi.

Kryetari Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se kjo ishte një paraqitje fantastike për të nisur me optimizëm të hënën rrugëtimin drejt Evropianit.

Lexo po ashtu Danimarka na 'vjedh' një barazim në minutat e fundit – Kosova me paraqitje të shkëlqyer

“Një paraqitje fantastike për të nisur me optimizëm të hënën rrugëtimin drejt Evropianit. Jemi me ju djema”, ka shkruar Veseli.

Zv.kryeministri Fatmir Limaj ka shkruar në Facebook se Kosova e meritoi fitoren, por se sipas tij edhe barazimi nuk është rezultat i keq kundër një skuadre siç është Danimarka.

“Kosova e meritoi fitoren, por edhe barazimi nuk është rezultat i keq kundër një skuadre siç është Danimarka. Djemtë tanë edhe sonte na dhuruan plot emocione me paraqitjet e tyre. Përgëzoj tifozët për atmosferën e krijuar në “Fadil Vokrri”, ka shkruar Limaj./Telegrafi/

Exit mobile version