Site icon Telegrafi

Liderët shtetërorë shprehen krenarë me suksesin e Distrisë dhe Norës

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës i janë gëzuar suksesit të xhudisteve, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, në Lojërat Mesdhetare ‘Tarragona 2018’.

Presidenti, kryeministri dhe kryeparlamentari i kanë shfrytëzuar rrjetet sociale për t’i uruar sportistet tona për suksesin e madh të arritur në Spanjë.

Lexo po ashtu Lajmet për XHUDO

“Vajzat dhe djemtë e Kosovës, me talentin tyre, po na bëjnë krenarë dhe po e promovojnë imazhin e vërtetë të vendit të tonë kudo nëpër botë. Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova dolën të arta në Spanjë, në Lojërat Mesdhetare në Tarragona. Fitorja e tyre ka rëndësi të dyfishtë për sportin dhe diplomacinë tonë”, ka shkruar presidenti Hashim Thaçi në Facebook.

“Vajzat e arta, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, e kanë ngritur sërish flamurin e Kosovës në piedestal, në Lojërat Mesdhetare Tarragona 2018. Kështu mbrohen ngjyrat e Kosovës! Krenar me ju!”, shkruan kryeministri Ramush Haradinaj.

“Dhe kush tjetër përpos tyre. Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi i dhanë Kosovës një debutim të jashtëzakonshëm në Lojërat Mesdhetare Tarragona 2018. Dy xhudistet tona ia shtuan vendit tonë edhe dy medalje të arta. Faleminderit për këto emocione!”, ka shkruar kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Kujtojmë që Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova fituan medaljet e arta në në Lojërat Mesdhetare ‘Tarragona 2018’, në kategoritë -52 dhe -57, respektivisht. /Telegrafi/

Exit mobile version