Xhudisti nga Kosova, Akil Gjakova, fitoi medaljen e artë në Kampionatin Evropian U-23 duke vazhduar me formën fantastike gjatë këtij viti.
Në kampionatin e zhvilluar në Gyor të Hungarisë, ai u shpall kampion evropian në kategorinë deri në 73 kilogramë për moshat nën 23 vjeç, pas triumfit me Ippon ndaj kundërshtarit nga Azerbajxhani, Rufat Mamadov.
Suksesit të tij i janë gëzuar edhe liderët shtetëror, të cilët i kanë shfrytëzuar rrjetet sociale për ta uruar Akilin.
“Edhe një xhudist kosovar kampion i ri evropian në U23. Të lumtë, Akil!”, ka shkruar presidenti i vendit, Hashim Thaçi.
“Ngadhënjimi i Akil Gjakovës në Evropianin U23 në Gyor të Hungarisë është edhe një dëshmi se Kosova ka një brez të artë xhudistësh që po ia lartësojnë emrin kudo në botë. Krenar me ty Akil!”, ka shkruar kryeministri Ramush Haradinaj.
Paraprakisht, Akili kishte shënuar edhe katër fitore tjera, ndërsa raundin e parë e kaloi pa luftë.
Në raundin e dytë mundi serbin Filip Jovanoviq, në të tretin mposhti holandezin Roy Schipper, kurse në çerekfinale italianin Gabriele Sulli.
Fitore mjeshtërore me Ippon shënoi në gjysmëfinale ndaj rumunit Marcel Cercea dhe në finale e mposhti azerin Rufat Mamadov. /Telegrafi/