Site icon Telegrafi

Liderët shqiptarë të Maqedonisë shprehin ngushëllime për tërmetin në Shqipëri

Liderët dhe politikanët e Maqedonisë kanë shprehur ngushëllime për viktimat dhe të lënduarit nga tërmeti 6.4 ballësh që goditi sot Shqipërinë.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka përcjellë dhimbjen e tij dhe ngushëllimet për tërmetin që sot në mëngjes goditi Shqipërinë.

“Lajm i trishtë që në orët e hershme të mëngjesit për tërmetet e rënda që goditën Shqipërinë dhe u ndjenë gjithandej duke shkaktuar viktima, të lënduar dhe dëme të mëdha. Me mendje, zemër, shpirt e lutje jam me vëllezërit dhe motrat në Shqipëri, ndërsa dalja jonë në krah me të gjitha mundësitë tona nuk do të mungojë, jemi me ju! Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e viktimave dhe shpresën për shërim sa më shpejtë të të lënduarve.”, ka nënvizuar kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.

Edhe kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami ka reaguar pas tërmetit të fuqishëm që goditi Shqipërinë.

“Me keqardhje morëm lajmin për viktimat dhe dëmet e shkaktuara nga tërmetet e fuqishme të njëpasnjëshme që gjatë orëve të hershme përshkuan Shqipërinë. I bëjmë apel edhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut që urgjentisht të obligojë Qendrën për menaxhim me kriza që të krijohen ekipet për të shkuar dhe t’i dalin në ndihmë Shqipërisë dhe shqiptarëve që kanë pësuar dëme jashtëzakonisht të mëdha. Të gjitha lutjet tona sot janë për vëllezërit tonë në Shqipëri”, ka shkruar Bilall Kasami.

Kryetari i Kuvendit, Talata Xhaferi gjithashtu shprehur ngushëllime të sinqerta për viktimat e tërmetit në Shqipëri.

“Jam i prekur thellë dhe shpreh ngushëllime të sinqerta për viktimat e kësaj fatkeqësie, dhe ndaj familjarëve të afërm të tyre. Në të njëjtën kohë, me mendime, shpresë dhe dëshirë që numri i viktimave mos rritet, të lënduarit të jenë me pasoja sa më të vogla shëndetësore dhe shërim të shpejtë”, shkruan Xhaferi.

Ndërsa kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, pas tërmetit në Shqipëri shkruan se jemi pran motrave dhe vëllezërve tanë.

“U zgjuam me gjëmën e fatkeqësisë, që nuk e prisnim. Jetojmë ditën me shpresën që pasojat të jenë sa më minimale. Jemi pranë jush motra dhe vëllezër. Bashkëvuajmë me ju humbjet në jetë njerëzish. E tek ngushëllojmë njeri tjetrin, do e gjejmë forcën për të vazhduar më tej, për të ndërtuar shpresën, jetën, Shqipërinë, shkruan Sela.

Edhe kryetari i partisë Alternativa, Afrim Gashi ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave të tërmetit

“Ngushëllime për ata që humbën familjarët e tyre dhe lutje për ata që mbetën pa kulm mbi kokë.
Zemrat dhe lutjet tona janë me motrat dhe vëllezërit tanë në Shqipëri”, shkruan Gashi./Telegrafi/

Exit mobile version