Telegrafi

Liderët serbë pas dështimit të pranimit të Kosovës në Interpol: Asgjë nuk mund të bëhet pa marrëveshje me Serbinë

Pas dështimit të Kosovës për t’u pranuar në organizatën e policisë ndërkombëtare e njohur si Interpol, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se mospranimi është një “fitore e një shteti të vogël por krenar”.

Megjithatë, presidenti serb ka pranuar se nuk duhet të jenë euforik dhe të mos kenë tendenca për poshtërimin e Prishtinës zyrtare, transmeton Telegrafi.

“Ky është një sukses i një vendi të vogël po krenar, që në asnjë mënyrë nuk guxon që të ardhmen ta bazojë në inate, por në veprime racionale dhe duhet të përkrahë kompromiset”, ka shtuar Vuçiq.

Lidhur me këtë është deklaruar edhe shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq, i cili ka thënë me një dozë ironie se kinse as përkrahja e kancelarit austriak Sebastian Kurz, nuk i ndihmoi Kosovës të pranohet në Interpol.

“Unë nuk kam kurrfarë obligimi që të jem i përmbajtur. Dua të them se është një fitore e madhe e Serbisë dhe popullit serb. Është një tregues së asgjë nuk mund të bëhet me dhunë, dhe se asgjë nuk mund të bëhet pa marrëveshjen me Serbinë”, ka shtuar ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë. /Telegrafi/