Site icon Telegrafi

Liderët e opozitës urojnë besimtarët për fillimin e Muajit të Ramazanit

Miliona myslimanë në mbarë botën po bëhen gati për të nisur agjërimin në Muajin e Ramazanit që nis më 11 mars.

Edhe në Kosovë në bazë të matjeve të hënës këtë vit Muaji i Ramazanit fillon me 11 mars.

Me këtë rast liderët e opozitës kanë uruar besimtarët myslimanë duke u uruar atyre agjërim të lehtë.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka uruar besimtarët duke u lutur që të jetë një muaj i begatë dhe ku dashuria për njëri-tjetrin rritet.

“Të gjithë qytetarëve të besimit Islam, urime fillimi i muajit të bekuar të Ramazanit. Qoftë një muaj i begatë, ku solidariteti dhe dashuria për njëri-tjetrin rriten, ndërsa sakrificat dhe luajtjet tuaja pranohen tek Zoti.  Agjërim të lehtë të gjithëve. Me Fat!”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

I pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku duke uruar qytetarët për fillimin e Ramazanit është lutur që paqja e dashurie të forcohet mes njerëzve.

“Ky muaj është moment reflektimi, paqeje e dashurie mes nesh; është muaj i kujdesit, i afërsisë e i ndarjes së të mirave me të tjerët. Uroj që këto vlera të forcohen sa më shumë në shoqërinë dhe vendin tonë. Sepse ne kemi nevojë për to. Ju dëshiroj agjërim të lehtë, pranim të lutjeve tuaja, shëndet të mirë, lumturi e prosperitet për ju dhe familjet tuaja! Zoti qoftë me gjithë ne!”, ka shkruar mes tjerash Abdixhiku.

Edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka uruar që në këtë muaj të shpërfaqen virtytet më të mira njerëzore, paqja, dashuria, solidariteti e mirëqenia.

“Myftiun Naim Tërnava, Bashkësinë Islame të Kosovës dhe të gjithë besimtarët myslimanë në Kosovë, Mërgatë dhe trevat shqiptare, i uroj për fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit!

Në këtë muaj të mëshirës, le të shpërfaqen virtytet më të mira njerëzore, paqja, dashuria, solidariteti e mirëqenia. Agjërim të lehtë!”, ka shkruar Haradinaj./Telegrafi/

 

Exit mobile version