Site icon Telegrafi

Liderët “e izoluar” dhe mungesa e nohjeve

Tre krerët institucionalë të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj, muajt e fundit kanë realizuar shumë pak vizita jashtë vendit, ndonëse vendi ka ngecje në procesin e liberalizimit të vizave me BE-në, pretendon të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare si INTERPOL-i e organizata të tjera.

Nga lajmet e publikuara në uebfaqet e tri institucioneve del se prej muajit nëntor 2018 e deri më tash në gjysmëmarsin e 2019-s liderët institucionalë kanë pasur mesatarisht nga një vizitë në muaj jashtë vendit, shkruan gazeta “Zëri”.

Gjersa kreu i shtetit më së shumti ka udhëtuar deri në tri herë brenda muajit, kryetari i Kuvendit jashtë territorit të Kosovës ka dalë më së shumti dy herë në muaj.

Ndërkaq më së paku gjatë këtyre muajve ka udhëtuar shefi i ekzekutivit, i cili nuk ka realizuar më shumë se një vizitë zyrtare brenda 30 ditëve.

Madje gjatë muajit janar të këtij viti i pari i Qeverisë nuk ka udhëtuar asnjëherë jashtë vendit. 

Elmi Reçica, anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, njëherësh deputet i PDK-së, ka vlerësuar se është tejet me rëndësi që liderët shtetërorë të bëjnë vizita në vendet e jashtme.

“Shtetet si është Kosova, të cilat janë shtete të vogla dhe të cilat nuk janë të fuqishme, kanë nevojë që krerët e institucioneve të bëjnë sa më shumë vizita te shtetet mike dhe te shtetet që mund të sigurojnë mbështetje qoftë politike, ekonomike ose diplomatike. Në këtë aspekt mendoj se duhet të ketë më shumë vizita që domosdoshmërish rezultojnë ose përmbyllen me suksese konkrete dhe me marrëveshje konkrete”, ka deklaruar ai.

Kurse deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë se udhëheqësit aktualë të Kosovës tashmë kanë lëkundur raportet me shtetet mike të Kosovës. Se sa të izoluar janë liderët shtetërorë sipas tij dëshmon më së miri mungesa e njohjeve të reja.

“Ajo që përbën gabimin më të madh së fundmi është edhe lëkundja ose prishja e raporteve me shtetet mike të Kosovës. Këta me logjikën provinciale po tentojnë të bëjnë politikë, diplomaci. Kjo është e pamundur. Fakti që ka kaluar një vit që nuk kemi njohje, kemi vetëm proces çnjohjesh tregon se sa të izoluar janë këta persona”, ka nënvizuar Selmanaj.

Krerët institucionalë sipas deputetit të LDK-së jashtë vendit shihen si persona me biografi të dyshimtë.

“Në fakt këta jashtë shihen ndoshta si persona edhe me biografi të dyshimtë, edhe me të kaluar të dyshimtë, pastaj tash për fatin e keq kemi filluar t’i vuajmë pasojat edhe ne si popull, edhe ne si shtet”, ka theksuar ai./zëri/

Exit mobile version